
Një 24-vjeçar shqiptar, Abdulla Canaj, është raportuar i zhdukur në Montorio al Vomano, në provincën e Teramos në Itali.
Për të riun nuk ka asnjë informacion që nga pasditja e së mërkurës, kur ai është larguar vullnetarisht nga banesa rreth orës 15:00 dhe nuk është kthyer më. Zhdukjen e tij në polici e ka denoncuar vëllai.
Pas raportimit, në kërkim të tij janë angazhuar zjarrfikësit, karabinierët, Policia Lokale dhe ekipet e Mbrojtjes Civile, raportojnë mediat italiane.
Canaj është rreth 165 centimetra i gjatë, peshon 65 kilogramë, ka sy të kaltër, flokë të shkurtër të zinj, mustaqe të holla dhe një tatuazh në pjesën e pasme të qafës.
Në momentin e largimit nga banesa, ai kishte veshur një bluzë të bardhë me kapuç, kapelë të kuqe, pantallona ushtarake dhe atlete.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e 24-vjeçarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali