Nga: Hasan Bello
Një nga praktikat e Revolucionit Kulturor Kinez që u aplikua në shoqërinë tonë në vitet e komunizmit, ishin fletërrufetë. Ato ishin letra të shkruara kryesisht me dorë, të varura në mure, rrugë, shkolla, fabrika dhe institucione, ku njerëzit, shpesh me nxitje nga lart, akuzonin dhe stigmatizonin të tjerët për “shfaqje borgjeze”, ideologji të huaja dhe gabime në punë. Kjo formë u promovua si një lloj kritike masive revolucionare. Pak a shumë si rrjetet sociale sot, ku çdo individ ka mundësinë të kritikojë apo të hedhë baltë mbi çdo kënd.
Në Shqipëri fletërrufetë u shfaqën pas fjalimit të njohur të diktatorit Enver Hoxha të 6 shkurtit 1967. Ky fjalim nisi një valë të re revolucionare, duke mos kursyer personalitete të njohur të shkencës dhe letërsisë.
Për ilustrim po sjellim një fletërrufe që Biblioteka Kombëtare ka vendosur për poetin, përkthyesin dhe intelektualin e njohur Lasgush Poradeci më 25 shkurt 1972, ku e kritikon për një libër që ai kishte tërhequr në këtë institucion.
Në fletërrufe thuhet:
“Shokut Llazar Gusho
Pse ju shok mbani prej një kohe të gjatë pa dorëzuar librin e Bibliotekës Kombëtare?
Libri që ju mbani jashtë afatit të caktuar e presin ta lexojnë dhjetra e dhjetra qytetarë të tjerë
Pse ju bëheni pengesë për përhapjen dhe leximin e librit?
A nuk është ky një qëndrim i pa hijshëm dhe shkelje e disiplinës proletare?
A e dini se veprime të tilla i lenë shteg dëmtimit dhe shpërdorimit të fondit shtetëror të librit?
A e kini parasysh se përvetësimi, shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i librit dënohet si krim në bazë të dispozitave të Kodit Penal?
Korigjohuni dhe ktheni menjëherë librin në bibliotekë brenda datës 25/2/72
Biblioteka Kombëtare“! [sic]
/Telegrafi/