Një objekt i çuditshëm, në formën e një kandili deti, është filmuar duke qëndruar pezull në qiell pranë një baze ushtarake amerikane, përpara se të zhdukej brenda pak minutash.
Sara Jane Osborn po fotografonte një ylber në Anchorage, Alaska, kur vuri re një formë të errët që ngrihej mbi pemët në distancë, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.
Ajo beson se objekti ndodhej pranë Bazës së Përbashkët Elmendorf-Richardson (JBER), e cila strehon aeroplanë luftarakë F-22 Raptor dhe mbështet operacionet e mbrojtjes ajrore dhe vëzhgimit.
Siç theksohet më tej, ngjarja ndodhi rreth orës 22:13 më 15 qershor, ndërsa qielli ishte ende i ndritshëm.
Në fillim, Osborn mendoi se objekti mund të ishte ndonjë insekt që i kishte hyrë në fushëpamjen e kamerës.
“U bezdisa, sepse mendova: mos është ndonjë mushkonjë?”, ka thënë ajo për Daily Mail.
Por, kur hodhi vështrimin përtej ekranit të telefonit, kuptoi se forma ishte shumë më e madhe nga sa kishte menduar fillimisht.
Ajo njoftoi bashkëshortin e saj, Pete, i cili ndodhej aty pranë, dhe filluan të fotografonin e të filmonin objektin.
Osborn tregoi se objekti dukej sikur kishte disa zgjatime që vareshin poshtë; ato lëviznin në mënyrë të pavarur ndërsa objekti qëndronte pezull dhe rrotullohej nga njëra anë në tjetrën.
Sipas saj, objekti mbeti i dukshëm për rreth tre minuta, para se të zhdukej po aq papritur sa ishte shfaqur.
“U zhduk pothuajse po aq shpejt sa erdhi”, ka treguar ajo.
Çifti mbeti gjithashtu i habitur nga madhësia e objektit, veçanërisht pasi panë një fluturake të vogël aty pranë, i cili dukej fare i imët në krahasim me të.
Më pas, ata e kontrolluan zonën, por thanë se nuk gjetën as ndonjë balonë, as ndonjë person që mund ta kontrollonte atë, e as ndonjë shpjegim tjetër të qartë për atë që kishin parë.
Osborn u shpreh: “Vetëm Zoti dhe qeveria” mund ta dinë se çfarë ishte ai objekt.
Kjo ndodh në një kohë kur njerëz në Wiltshire dhe Gloucestershire kanë qenë të bindur se, në vitin 1989, kanë parë një UFO në formën e një kandili deti, theksojnë mediat britanike. /Telegrafi/