
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për dy persona me inicialet Z.B. dhe G.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar dy të dyshuarit të enjten në dyshimin për krime lufte në rastin e “Masakrës së Padalishtës”.
Sipas burimeve të gazetares së Klan Kosovës, Altiana Zogaj, të dyshuarit janë Zikica Belosoviq dhe Gruica Belosoviq.
Kurse, bazuar në njoftimin e gjykatës, dy të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, transmeton Klankosova.tv
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse të dyshuarit lihen në liri, mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale ose të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
Si rrethanë shtesë, gjykata ka përmendur faktin se të dy të pandehurit kanë nënshtetësi të Republikës së Serbisë, duke vlerësuar se ekziston rreziku që ata të largohen për t’iu shmangur drejtësisë.
Sipas gjykatës, paraburgimi është masa e vetme që siguron zhvillimin e papenguar të procedurës penale në këtë rast.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.