Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitjen e 8 mijë eurove në Gjakovë

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitjen e 8 mijë eurove në Gjakovë

Written by

in

Sipas komunikatës së gjykatës, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një lokal të identifikuar në komunikatë si “R. M. T.”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se, i maskuar dhe nën kërcënimin me thikë, ka hyrë në lokal dhe i ka kërkuar punëtores që t’ia dorëzojë të gjitha paratë.

“Nën kërcënimin e thikës, e urdhëron punëtoren që t’ia japë të gjitha të hollat”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Më tej, sipas përshkrimit të rastit, punëtorja, e frikësuar dhe në panik, nuk ka ditur si të reagojë, ndërsa i dyshuari dyshohet se e ka hapur dollapin ku mbaheshin paratë dhe i ka marrë ato.

“I pandehuri e hap dollapin e vendit ku ndodheshin paratë, i merr të gjitha të hollat në shumën prej rreth 8.000 €”, thuhet në komunikatë.

Pas marrjes së parave, i dyshuari dyshohet se i ka kërkuar punëtores të mos e shikonte në fytyrë dhe më pas është larguar nga lokali, duke marrë me vete paratë e grabitura.

Sipas komunikatës, gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

“Me këtë vendim, i pandehuri Ç. Zh., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në komunikatë.

Periudha e paraburgimit, sipas gjykatës, llogaritet nga 15 tetori 2026, data e arrestimit, deri më 15 nëntor 2026.

Në fund të komunikatës bëhet e ditur se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Burimi: RTKLive