
Vrasja mizore e Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, vetëm tri ditë pasi kishte dorëzuar një letër urgjente në Prokurori, ka nxitur reagimin e ashpër të kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, i cili kërkon që hetimet të mos kufizohen vetëm te autori i dyshuar i krimit, por të shtrihen edhe te veprimet dhe mosveprimet eventuale të institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin viktimën.
“Sonte nuk mjafton të arrestohet vetëm ai që dyshohet se ia mori jetën. Sonte duhet të fillojë edhe hetimi se kush, me veprimet apo mosveprimet e veta, mund t’ia ketë mohuar mundësinë për të jetuar!”, ka deklaruar Berisha.
Reagimi i tij vjen pas zbulimit të letrës së viktimës, të pranuar në Prokurorinë Themelore në Pejë më 22 tetor, ku ajo kishte kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale, duke paralajmëruar se mund të vinte dita kur institucionet do të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.
Në reagimin e tij, Berisha e ka cilësuar ngjarjen krim makabër, duke theksuar se viktima ishte privuar nga jeta nga një person që duhej të ishte pjesë e sigurisë së saj familjare.
“Sonte në Pejë paska ndodhur një krim makabër. Një nënë, një grua, qenka privuar nga jeta në mënyrën më mizore të mundshme, nga njeriu që duhej të ishte pjesë e sigurisë së saj familjare, e jo fundi tragjik i jetës së saj!”, ka shkruar ai.
Berisha ka tërhequr vëmendjen veçanërisht te paralajmërimet e viktimës, duke e përshkruar letrën e saj si një thirrje dëshpëruese që duhet të ishte marrë seriozisht.
“Tri ditë më parë, kjo grua paska lënë atë që sot tingëllon si amaneti i saj i fundit. Një thirrje dëshpëruese e një nëne për të birin, që, sipas asaj që po bëhet publike, paska hasur në vesh të shurdhër.”
Kreu i avokatëve ka kërkuar hetim të plotë të mënyrës se si institucionet kanë trajtuar denoncimet dhe kërkesat për mbrojtje, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të përcaktohet pa u verifikuar se çfarë dinin zyrtarët përgjegjës, çfarë detyrimesh kishin dhe çfarë veprimesh ndërmorën.
“Nëse provohet se institucionet kishin dijeni për rrezikun, se gruaja kishte kërkuar mbrojtje dhe se thirrjet e saj ishin shpërfillur, atëherë përgjegjësia nuk mund të përfundojë me një komunikatë ngushëllimi”, ka theksuar Berisha.
Ai ka kërkuar që, aty ku vërtetohen shkelje dhe plotësohen kushtet ligjore, të ndërmerren masa penale, disiplinore dhe institucionale.
“Duhet të ketë hetim penal, aty ku ekzistojnë elementet e veprës penale, procedura disiplinore, pezullime e shkarkime, kudo ku provohet përgjegjësia dhe ku ligji i parasheh.”
Në reagim, Berisha ka theksuar se nuk po kërkon shpalljen e fajtorëve pa prova, por hetimin e secilit veprim apo mosveprim që mund të ketë ndikuar në mosmbrojtjen e viktimës.
“Nuk po kërkoj fajtorë pa prova. Po kërkoj që askush të mos fshihet pas mungesës së provave, pa u hetuar fillimisht se çfarë dinin, çfarë duhej të dinin dhe çfarë bënë ata që kishin detyrimin ligjor për ta mbrojtur.”
Ai ka ngritur edhe çështjen e besimit të grave te institucionet përgjegjëse për trajtimin e dhunës në familje.
“Shteti nuk mund të kërkojë besimin e grave që denoncojnë dhunën, nëse nuk është në gjendje t’i mbrojë kur ato i besojnë jetën e tyre!”, ka shkruar Berisha.
Reagimin e tij, kryetari i Odës së Avokatëve e ka përmbyllur me një mesazh të fortë për drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale.
“Një nënë nuk duhet të vdesë që thirrja e saj të merret seriozisht.
Nëse amaneti i saj i fundit është dëgjuar para vrasjes dhe është shpërfillur, atëherë sonte nuk kemi vetëm një krim për të zbardhur. Kemi edhe një përgjegjësi institucionale për të hetuar deri në fund.
Drejtësia për këtë grua nuk duhet të fillojë e të përfundojë te varri i saj!”
Burimi: Sinjali