
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një zyrtar policor, nën dyshimet për përfshirje në afera korruptive.
AMP ka njoftuar se ekzekutuar të martën urdhrin e Prokurorisë Durrës për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj punonjësit të policisë me inicialet A.C., punonjës i rolit bazë në Komisariatin e Policisë në Kavajë.
“Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftim.
Masa e sigurisë është caktuar mbi bazën e dyshimeve për përfshirjen e punonjësit të policisë në veprimtari të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës.
“Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar penale.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv