Një situatë e pazakontë ka shqetësuar banorët e qytetit Brookline, në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një hut ka sulmuar disa persona, duke i goditur në kokë dhe qafë.
Sipas raportimeve, të paktën 12 persona kanë deklaruar se janë sulmuar nga shpendi, ndërsa policia lokale ka kërkuar ndihmën e autoriteteve shtetërore për mbrojtjen e kafshëve të egra.
Departamenti i Policisë në Brookline ka konfirmuar se ka pranuar disa telefonata nga qytetarët që janë sulmuar papritur nga huti.
Një nga viktimat, Taris Besse, ka treguar për CBS Boston se është sulmuar pranë parkut Griggs.
“Papritur më goditi në qafë. E dëgjova sipër meje, kështu që jam i sigurt se erdhi nga pema”, ka rrëfyer ai.
Besse është detyruar të marrë trajtim parandalues kundër tërbimit, ndërsa gjatë vizitës në spital ka kuptuar se nuk ishte i vetmi që kishte përjetuar një sulm të tillë.
Edhe gazetarja Milena Fernsler ka treguar se është sulmuar dy herë pranë banesës së saj, duke përshkruar një goditje të fuqishme në pjesën e pasme të kokës.
Një tjetër banore, Juliette Daily, ka rrëfyer se huti e kishte sulmuar gjatë vrapimit, duke iu vërsulur tri herë. Ajo arriti t’u shmangej goditjeve të tjera duke kaluar në anën tjetër të rrugës.
Raportimet e para për këto sulme datojnë nga vjeshta e kaluar, ndërsa disa prej incidenteve kanë ndodhur rreth festës së Halloweenit.
Sipas autoriteteve të Massachusettsit, në këtë shtet jetojnë tetë lloje hutash, të gjithë të mbrojtur me ligj.
Ekspertët shpjegojnë se sulmet e tyre ndaj njerëzve janë të rralla, por këta shpendë mund të bëhen agresivë kur ndihen të kërcënuar, veçanërisht nëse kanë folenë pranë.
Autoritetet po shqyrtojnë mënyrat për të parandaluar sulme të tjera dhe për të garantuar sigurinë e banorëve. /Telegrafi/