Disa figura të njohura publike i janë bashkuar protestës së organizuar të mërkurën në Prishtinë, ku po kërkohet drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj.
Në pamjet që po qarkullojnë nga protesta në sheshin “Zahir Pajaziti”, shihen këngëtarja Nora Istrefi, floktari Kaci Lleshi dhe aktorja Arjola Demiri, të cilët kanë dalë për të shprehur solidaritetin në një rast që ka nxitur reagime të shumta në shoqëri.
Edhe Nora Istrefi kishte njoftuar paraprakisht përmes rrjeteve sociale se do të ishte pjesë e protestës, duke kërkuar drejtësi për Arlindën dhe mbrojtje për çdo grua. Ajo kishte theksuar se gratë meritojnë të jetojnë të sigurta, pa frikë dhe të kthehen në shtëpitë e tyre pa u rrezikuar.
Nora Istrefi në protestë
Protesta është organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, e cila, sipas raportimeve, u vra me sëpatë nga kunati i saj.
Protestuesit po kërkojnë llogaridhënie nga institucionet shtetërore, pasi, sipas organizatorëve, viktima kishte kërkuar disa herë mbrojtje, por nuk kishte arritur ta merrte atë.
Kaci Lleshi në protestë
Nga sheshi “Zahir Pajaziti”, protestuesit pritet të marshojnë drejt institucioneve të vendit, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Qeverinë.
Përmes kësaj proteste, kërkohet që vrasja e Arlinda Zekajt të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe garantimin e sigurisë së tyre. /Telegrafi/