“Nuk do të arratisem” – Vuçiqi i përhumbur reagon pas debaklit në zgjedhje

“Nuk do të arratisem” – Vuçiqi i përhumbur reagon pas debaklit në zgjedhje

Written by

in

Aleksandar Vuçiq ka pranuar humbjen e koalicionit të udhëhequr nga Partia Progresiste Serbe (SNS) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, më 25 tetor, duke konfirmuar se Lista Studentore ka dalë fituese e garës zgjedhore.

Në një konferencë për media nga selia e SNS-së, Vuçiq deklaroi se, ndonëse rezultatet përfundimtare ende nuk janë publikuar, të dhënat paraprake tregojnë qartë se koalicioni i tij ka humbur shumicën parlamentare.

“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Shumë do të befasohen dhe do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa dhe çfarë kanë sajuar. Dua t’ju informoj se lista e studentëve bllokues ka fituar. Ata do të kenë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne kemi rreth 105”, deklaroi Vuçiq.

Sipas tij, Lista Studentore ka siguruar rreth 2.2 milionë vota, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga SNS-ja ka marrë afërsisht 1.72 milion vota.

Në Parlamentin e ri të Serbisë, sipas vlerësimeve të Vuçiqit, pritet të përfaqësohen edhe komunitetet pakicë, përfshirë Aleancën e Hungarezëve të Vojvodinës me tri mandate dhe partitë shqiptare nga Lugina e Preshevës me një mandat.

Pavarësisht humbjes, Vuçiq u shpreh se partia e tij mbetet e bashkuar dhe e përgatitur për të vazhduar aktivitetin politik nga opozita.

“Disa biznesmenë, disa njerëz do të largohen tani prej nesh, por struktura jonë është shumë e qëndrueshme. Jemi shumë të bashkuar, shumë të fortë; kemi mësuar nga të qenët në opozitë”, deklaroi ai.

Ai hodhi poshtë pretendimet se do të largohej nga vendi në rast të humbjes së pushtetit, duke akuzuar kundërshtarët politikë për përhapje të gënjeshtrave.

Vuçiq pretendoi gjithashtu se koalicioni i tij kishte fituar mbështetjen e shumicës së votuesve serbë në Kosovë, Republikën Srpska, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Fituam në Kosovë mes serbëve dhe e di se për shumë njerëz sonte është e vështirë. Do të luftojmë dhe do të tregojmë se çfarë është opozita, krenarë për gjithçka që kemi bërë”, u shpreh ai.

Pjesëmarrje e lartë dhe raportime për parregullsi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi u përmbyllën në orën 20:00, ndërsa procesi i numërimit të votave nisi menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), pjesëmarrja deri në orën 18:00 arriti në 64.89 për qind, dukshëm më e lartë krahasuar me 51.93 për qind të regjistruar në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2023.

Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote 6.451.292 qytetarë, ndërsa 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë, konkurruan për 250 vendet në Parlamentin e Serbisë.

Pjesëmarrje veçanërisht e lartë u regjistrua në Novi Sad, me 68.97 për qind, dhe në Nish, me 69.09 për qind të votuesve deri në orën 18:00.

Megjithatë, procesi zgjedhor u shoqërua me incidente dhe dyshime për parregullsi në disa qytete.

Vëzhguesit raportuan mbi 300 raste të parregullsive të mundshme, përfshirë fotografimin e fletëve të votimit, probleme me listat zgjedhore, votimin familjar dhe pengimin e punës së vëzhguesve.

Në Novi Sad u raportuan dyshime për blerje votash dhe përdorim të listave paralele të zgjedhësve, ndërsa policia ndërhyri në disa lokacione.

Ndërkohë, në Doljevac, procesi i votimit u ndërpre përkohësisht pasi një qytetar dyshohet se tentoi të votonte duke përdorur disa dokumente identifikimi.

Rezultati i paralajmëruar nga Vuçiq shënon një kthesë të rëndësishme në skenën politike serbe, duke i hapur rrugë Listës Studentore për formimin e një shumice të re parlamentare dhe duke e vendosur SNS-në përballë kalimit në opozitë pas më shumë se një dekade në pushtet./Telegrafi.