“Nuk kam fëmijë, kunetët nuk po ma japin tokën e burrit…”

“Nuk kam fëmijë, kunetët nuk po ma japin tokën e burrit…”

Written by

in

“Nuk kam fëmijë, kunetët nuk po ma japin tokën e burrit…”

Derën e shtëpisë e mbyll qëkur terri nis të vijë, e nuk ka askënd që t’ia sjellë as një pikë ujë.

Hasime Latifaj, 75-vjeçare nga Vitomerica në Pejë, që nga viti 2022 kur i vdiq i shoqi po jeton e vetme brenda katër mureve.

Sipas saj, i shoqi nuk i vdiq pasi që ra nga pema, por atë ia vranë – andaj që atëherë ajo qëndron e frikësuar në shtëpi.

Në këto rrethana, 75-vjeçarja dëshiron që të e shesë tokën e trashëguar nga i shoqi dhe të largohet nga aty që të jetojë më e qetë.

Sipas saj, shpërngulja në qytet do ia lehtësonte jetesën si e vetme që e bën, pasi që gjërat elementare do i kishte më afër.

Ajo përmend rastin kur kishte qenë sëmurë dhe kishte qëndruar tri ditë pa ngrënë ngase nuk mund të shkonte në qytet që të blinte bukë.

Mirëpo vëllezërit e burrit të saj, sipas saj, nuk po e lejojnë që të marrë pjesën e trashëgimisë së burrit të saj ngase ajo nuk ka fëmijë.

Hasimja e gjeti veten pa rrugëdalje andaj, siç thotë për KIKS-in, u detyrua të ngre padi ndaj kunetërve të saj për të marrë pjesën që i takon.

Ndarjen e pasurisë që e trashëguan nga babai e kishte kërkuar edhe i shoqi i saj nga vëllezërit sa ishte gjallë.

Dëshira e tij, sipas Hasimes, ishte që vitet e pleqërisë t’i kalonin në qytet që ta bënin jetën më të lehtë, ngase nuk kishte kush të kujdesej për ta.

Hasimja thotë se fakti që nuk po mund të marrë trashëgiminë e të shoqit është shumë e padrejtë, ngase sipas saj, ajo tokë ishte blerë me paratë që i shoqi i kishte marrë si dëmshpërblim kur ishte aksidentuar në Gjermani.

Lidhur me këto pretendime, Kiks Kosova kontaktoi me kunetërit e Hasimes.

Kiks-i bisedoi në telefon me Bajram Latifajn, kunatin që jeton në Kosovë.

Ai tha se është dakord që Hasimja të marrë tokën e saj, mirëpo vëllezërit e tij që jetojnë jashtë Kosovës nuk po pranojnë.

Nëpërmjet telefonit, KIKS Kosova ra në kontakt edhe me Zeqir Latifajn, njëri nga kunetërit që jeton në Austri.

Ai akuzoi vëllain Bajramin se nuk po bën ndarjen e tokës si duhet mes vëllezërve sepse përndryshe ai është i pajtimit që Hasimja të marrë pjesën që i takon.

Hapësirën për të dhënë versionin e tij të krejt kësaj ngjarjeje, KIKS Kosova ia dha edhe vëllait të vogël, Nexhat Latifaj, i cili gjithashtu jeton në Austri.

I njëjti nuk ka hapur telefonin dhe nuk është përgjigjur lidhur me temën as në mesazhe.

Në vijim, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:

Ndiqeni emisionin e plotë: