
Spitali i Përgjithshëm “Daut Mustafa” në Prizren është gjobitur me 3 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor. Arsyeja është se spitali nuk ka ruajtur dosjet mjekësore të personave që kanë marrë certifikata shëndetësore për t’u pajisur me leje armësh.
Inspektorët kanë gjetur se për këta persona ishte mbajtur vetëm një libër regjistri, pa dosje individuale dhe pa dokumentacion që dëshmonte ekzaminimet mjekësore.
Kontrolli është kryer më 23 shkurt 2026, pas raportimeve në media.
Inspektorët kanë verifikuar nëse spitali po i respektonte procedurat ligjore për lëshimin e certifikatave shëndetësore për leje armësh.
Gjetjet janë përmbledhur në një vendim të datës 10 mars 2026, të cilin e ka siguruar Insajderi.
Sipas dokumentit, spitali, i drejtuar nga Osman Hajdari, ish-ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së, nuk kishte dosje individuale për kandidatët që i ishin nënshtruar ekzaminimeve mjekësore.
Para inspektorëve ishte prezantuar vetëm libri i regjistrit, ku ishin shënuar të dhënat kryesore të kandidatëve.
Në vendim përmendet edhe deklarata e drejtorit mjekësor, Shefki Xharra, i cili ka dhënë arsyetimin për mungesën e dosjeve.
“Kandidatët që i janë nënshtruar ekzaminimit janë trajtuar si aplikues dhe jo si pacientë të institucionit, dhe për këtë arsye është mbajtur kryesisht libri i regjistrit ku janë evidentuar të dhënat kryesore të secilit kandidat. Për rrjedhojë, kopjet e certifikatave mjekësore për aftësinë shëndetësore psikofizike për pajisje me leje për armë nuk janë arkivuar në mënyrë sistematike, duke u konsideruar gabimisht si dokumentacion që nuk kërkon ruajtje afatgjatë”, thuhet në vendimin e Inspektoratit, duke iu referuar deklaratës së drejtorit mjekësor, Shefki Xharra.
Por, inspektorët kanë gjetur edhe mangësi të tjera në dokumentacion.
Gjatë kontrollit të regjistrit është vërejtur se diagnozat nuk ishin shënuar plotësisht.
Po ashtu, disa rubrika nuk ishin plotësuar sipas standardeve, mungonin të dhënat për terapinë dhe procedurat mjekësore, ndërsa në disa raste nuk kishte as nënshkrim dhe faksimil të mjekut përgjegjës.
“Nga analiza e regjistrit të ekzaminimeve u konstatua se: diagnozat nuk janë përshkruar në mënyrë të plotë; rubrikat e dokumentacionit nuk janë plotësuar sipas standardeve; mungojnë të dhënat mbi terapinë dhe procedurat mjekësore, si dhe në disa raste mungojnë nënshkrimi dhe faksimili i mjekut përgjegjës”, thuhet më tej në vendim.
Inspektorati ka vlerësuar se këto parregullsi përbëjnë shkelje të Ligjit për Shëndetësi dhe udhëzimeve administrative në fuqi.
Për këto shkelje, spitalit i është shqiptuar gjobë prej 3 mijë eurosh.
Sipas vendimit, institucioni ka pasur mundësi të paguajë gjysmën e gjobës, përkatësisht 1 mijë e 500 euro, nëse pagesën e kryente brenda 15 ditësh. Ndërsa ndaj vendimit mund të paraqiste ankesë brenda 30 ditësh.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Spitalin e Përgjithshëm “Daut Mustafa” për të marrë një qëndrim lidhur me gjetjet e Inspektoratit.
Insajderi ka kërkuar sqarime se pse nuk janë ruajtur dosjet mjekësore të kandidatëve për leje armësh dhe si shpjegohen mangësitë në regjistrin e ekzaminimeve.
Po ashtu, spitalit i është kërkuar të tregojë nëse ka ndërmarrë masa për përmirësimin e sistemit të arkivimit dhe nëse e ka paguar gjobën apo ka ushtruar ankesë ndaj vendimit.
Deri në publikimin e këtij artikulli, spitali nuk ka kthyer përgjigje. Insajderi do t’i publikojë sqarimet e tij nëse i pranon.
Ndryshe, parregullsitë në procesin e pajisjes me leje armësh ishin bërë publike në një hulumtim të ‘Betimi për Drejtësi’, të transmetuar më 21 shkurt 2026, ku ishin paraqitur edhe prova për lëshimin e certifikatave shëndetësore nga Spitali i Prizrenit për kandidatët që aplikonin për leje armësh.
/Insajderi.org
Burimi: Insajderi