
Një operacion i gjerë kundër mafias në Itali, Spanjë dhe Zvicër ka rezultuar me arrestimin e 30 personave dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 21 milionë euro.
Sipas gazetës zvicerane laRegione, në rrjetin e dyshuar kriminal dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë.
Hetimet e Guardia di Finanza-s italiane zbuluan një strukturë të paligjshme financiare, të cilën hetuesit e përshkruajnë si “bankë të fshehtë”. Ajo dyshohet se përdorej për pastrimin e parave që vinin nga mashtrimet tatimore, trafiku i drogës dhe ai i armëve.
Sipas hetuesve, organizata dyshohet se kishte lëshuar fatura fiktive në vlerë prej më shumë se 110 milionë eurosh, ndërsa rreth 68 milionë euro dyshohet se ishin pastruar në nivel ndërkombëtar përmes kriptovalutave.
Sipas raportimit të mediumit zviceran, rrjeti mbështetej nga bashkëpunëtorë kinezë dhe shqiptarë. Megjithatë, nuk janë bërë të ditur identitetet e tyre dhe nuk është konfirmuar nëse ndonjë shtetas shqiptar është në mesin e personave të arrestuar.
Gjatë operacionit, në Lugano të Zvicrës u arrestua edhe një 62-vjeçar me shtetësi italiane, i lindur në Napoli. Ai dyshohet se kishte rol në transferimin e parave dhe konvertimin e tyre në kriptovaluta.
I dyshuari po mbahet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit.
Operacioni u zhvillua nën koordinimin e autoriteteve italiane, me kontrolle edhe në kantonin Ticino të Zvicrës dhe në Spanjë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali