
Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e një muaji paraburgim për Burim Ademin, rreth 38-vjeçar, dhe Sadri Halimin, rreth 55-vjeçar, të cilët dyshohen për organizim dhe trafikim të narkotikëve në Kosovë dhe rajon.
Sinjali raportoi ekskluzivisht emrat e dy të dyshuarve, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se ata dyshohen për organizim, drejtim, blerje, shitje, shpërndarje dhe transportim të marihuanës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktiviteti i dyshuar kriminal shtrihej në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, ndërsa dyshohet se veprimet janë kryer gjatë periudhës nga shtatori deri më 16 tetor 2026, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar.
Rasti lidhet me një kontroll të zhvilluar më 16 tetor nga Policia e Kosovës – DSQHN, në fshatin Velekincë të Gjilanit. Gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit Burim Ademi, në veturën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 10 pako me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, për veprat penale që lidhen me organizimin dhe trafikimin e narkotikëve, si dhe blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Operacioni “MALI”: Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit që u kapën me mbi 53 kg marihuanë në Gjilan appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali