
Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të mbeten në fuqi për 60 ditë.
Vendimi u miratua me 61 vota për, ndërsa kjo pikë u fut në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës parlamentare që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
Sipas masave të miratuara, ndërmarrja “Ibër-Lepenci” obligohet të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit, e cila do të shfrytëzohet për konsumatorët që kanë të drejtën e shërbimit universal.
Në kuadër të këtyre masave parashihet edhe themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të angazhohet në trajtimin e situatës së krijuar në sektorin energjetik.
Megjithatë, vendimi u kundërshtua nga opozita.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e konsideruar atë përgjegjëse për krizën energjetike në vend.
Kritika ndaj qasjes së Qeverisë pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri. Ajo kundërshtoi mënyrën se si po menaxhohet sektori i energjisë dhe rregullimi i këtij tregu.
Ndërkohë, gjatë kësaj seance, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, me 61 vota për.
Votimi për këtë projektligj u zhvillua rreth orës 00:45, pasi edhe kjo pikë ishte futur në rendin e ditës përmes mocionit.
Gjatë diskutimit, Ymeri kritikoi përmbajtjen e projektligjit, duke pretenduar se tregtarët e energjisë kanë ndikim mbi rregullatorin dhe se ndryshimet ligjore janë bërë vetëm për të përmbushur kërkesat e paketës evropiane.
Me 61 vota për, deputetët miratuan në lexim të parë edhe Projektligjin për Efiçencën e Energjisë. Votimi për këtë pikë përfundoi rreth orës 01:15.
Ndërsa pas orës 02:00, Kuvendi miratoi në lexim të parë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ky projektligj mori 62 vota për, tetë kundër dhe një abstenim, ndërsa u kundërshtua nga deputetët e Listës Serbe.
Burimi: Insajderi