Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Written by

in

Syri i Vizionit dhe organizata të tjera të shoqërisë civile në rajonin e Pejës kanë kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe shqyrtim të veprimeve të institucioneve përgjegjëse, pasi ajo, më 22 tetor, i ishte drejtuar me shkrim kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë.

Në reagimin e tyre, organizatat kanë shprehur shqetësim për rastin dhe kanë kërkuar sqarime nëse shqetësimet e paraqitura nga Zekaj janë trajtuar me seriozitet dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë pas pranimit të shkresës.

Sipas reagimit, në shkresën e datës 22 tetor 2026, Arlinda Zekaj kishte shprehur shqetësimet e saj dhe kishte kërkuar masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre.

Syri i Vizionit dhe organizatat e tjera kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe institucionet kompetente që të hetojnë plotësisht vrasjen, të shqyrtojnë urgjentisht shkresën e saj dhe të sqarojnë çdo veprim apo mosveprim institucional lidhur me shqetësimet e ngritura.

“Çdo përgjegjësi eventuale duhet të përcaktohet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe mbi bazën e fakteve”, thuhet në reagim.

Organizatat kanë theksuar se rasti duhet të shërbejë si alarm për nevojën e reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të grave nga dhuna, duke kërkuar që shqetësimet e qytetarëve të mos mbeten pa përgjigje.

Në kuadër të kësaj thirrjeje për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, ato u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në ndezjen e qirinjve në nderim të Arlinda Zekajt dhe në solidaritet me familjen e saj.

Ndezja e qirinjve është paralajmëruar për 26 tetor, në orën 18:00, në sheshin e qytetit në Pejë.

“Drejtësia nuk duhet të vijë vetëm pasi të jetë tepër vonë. Asnjë shqetësim nuk duhet të shpërfillet. Asnjë jetë nuk duhet të humbet për shkak të mosveprimit”, përfundon reagimi. /Telegrafi/