Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të fuqizuar trajtimin e rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por reformat ende nuk janë përkthyer në praktikë konsistente në sallat e gjyqeve. Një gjë të tillë e evidenton raporti i dytë i OSBE-së nga Projekti Rajonal i Monitorimit të Proceseve Gjyqësore, që është publikuar sot.
Raporti, i cili është pjesë e një programi më të gjerë të OSBE-së për monitorimin e proceseve gjyqësore në rajon i financuar nga BE-ja, shqyrton zhvillimet në gjashtë juridiksione të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2024, kur u dhanë rekomandimet e fundit. Ai vlerëson progresin në zbatimin e tyre dhe identifikon prioritetet praktike për një sistem më të drejtë, më efikas dhe më efektiv të drejtësisë penale.
Duke u mbështetur në monitorimin në salla të gjykatave, analizën e vendimeve gjyqësore dhe konsultimet me institucionet gjyqësore, raporti konstaton një pronësi më të fortë institucionale ndaj reformave, duke përfshirë planifikimin strategjik, mjetet e zgjeruara digjitale, trajnimin e specializuar dhe masat për të promovuar një praktikë gjyqësore më të qëndrueshme.
Sipas njoftimit të OSBE-së, përmirësimi në publikimin e vendimeve gjyqësore është një shembull i progresit. Gjatë periudhës raportuese, 36 nga 41 aktgjykimet e monitoruara u publikuan online, duke përfshirë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit. Tutje thuhet se institucionet kanë ndërmarrë gjithashtu hapa për të fuqizuar shërbimet e interpretimit dhe përkthimit, si dhe për të përmirësuar komunikimin me publikun. Megjithatë, zbatimi nuk është i njëtrajtshëm. Raporti identifikon sfida të vazhdueshme që lidhen me procedurat e zgjatura, veçanërisht në nivelin e apelit; konsistencën në hartimin e aktakuzave dhe arsyetimin gjyqësor; qasjen në interpretim dhe materialet e përkthyera të lëndëve; si dhe përdorimin e hetimeve financiare, konfiskimit dhe dënimeve plotësuese.
“Raporti njeh progresin e arritur nga institucionet e drejtësisë dhe ndjekjen e rekomandimeve tona. Hapi i radhës është të ndërtohet tutje mbi këtë progres, në mënyrë që reformat të përmirësojnë vazhdimisht mënyrën se si përgatiten, menaxhohen dhe vendosen rastet komplekse,” tha Kahramon Sanginov, menaxher i projektit për komponentin e Kosovës.
Rekomandimet e raportit bëjnë thirrje për përgjegjësi më të qarta institucionale, vazhdimësi më të fortë dhe investime të qëndrueshme në ekspertizën e specializuar dhe burimet operacionale. Theksi vihet në sigurimin që strategjitë, udhëzimet dhe mjetet digjitale të sjellin përmirësime të matshme në trajtimin e përditshëm të rasteve, duke i garantuar e ruajtur të drejtat për një gjykim të drejtë dhe pavarësinë gjyqësore.
Tutje sipas njoftimit të OSBE-së, gjetjet dhe rekomandimet do të diskutohen në Forumin Gjyqësor Rajonal në Budvë të Malit të Zi, më 26-27 tetor 2026. Forumi do të bëjë bashkë përfaqësues të lartë gjyqësorë dhe prokurorialë nga të gjitha juridiksionet e projektit për të shkëmbyer përvoja praktike mbi shndërrimin e reformave të drejtësisë në praktikë të qëndrueshme institucionale.
Burimi: RTKLive
