Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e trajtimit të rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por reformat ende nuk po zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në praktikën gjyqësore.
Kështu vlerësohet në raportin e dytë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të publikuar të mërkurën, në kuadër të Projektit Rajonal të Monitorimit të Proceseve Gjyqësore.
Raporti shqyrton zhvillimet në gjashtë juridiksione të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2024, duke vlerësuar zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe duke identifikuar fushat ku nevojiten përmirësime për një sistem më të drejtë dhe më efikas të drejtësisë penale.
Sipas OSBE-së, institucionet e drejtësisë kanë treguar përkushtim më të madh ndaj reformave, përfshirë planifikimin strategjik, zgjerimin e mjeteve digjitale, trajnimin e specializuar dhe masat për të siguruar praktikë më të qëndrueshme gjyqësore.
Megjithatë, organizata vlerëson se këto përparime ende nuk janë përkthyer në rezultate të njëtrajtshme në trajtimin e rasteve komplekse.
Një nga fushat ku raporti evidenton përparim është transparenca në publikimin e vendimeve gjyqësore.
Gjatë periudhës së monitorimit, 36 nga 41 aktgjykimet e shqyrtuara janë publikuar online. Në mesin e tyre janë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit.
Raporti vëren gjithashtu se institucionet kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e shërbimeve të interpretimit dhe përkthimit, si dhe të komunikimit me publikun.
Megjithatë, OSBE-ja thekson se mbeten sfida të rëndësishme që ndikojnë në efikasitetin dhe cilësinë e proceseve gjyqësore.
Sipas raportit, një ndër problemet kryesore vazhdon të jetë zgjatja e procedurave gjyqësore, veçanërisht në shkallën e apelit.
Vështirësi janë evidentuar edhe në konsistencën e hartimit të aktakuzave dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore, si dhe në qasjen në shërbimet e interpretimit dhe në materialet e përkthyera të lëndëve.
Një tjetër fushë që kërkon përmirësim është përdorimi i hetimeve financiare, konfiskimit të pasurisë dhe dënimeve plotësuese në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Menaxheri i projektit për komponentin e Kosovës në kuadër të këtij projekti të OSBE-së, Kahramon Sanginov, tha se raporti njeh përparimin e institucioneve në zbatimin e rekomandimeve, por theksoi nevojën që ky proces të vazhdojë.
“Raporti njeh progresin e arritur nga institucionet e drejtësisë dhe ndjekjen e rekomandimeve tona. Hapi i radhës është të ndërtohet tutje mbi këtë progres, në mënyrë që reformat të përmirësojnë vazhdimisht mënyrën se si përgatiten, menaxhohen dhe vendosen rastet komplekse”, tha Sanginov.
Në rekomandimet e tij, raporti bën thirrje për përcaktim më të qartë të përgjegjësive institucionale, vazhdimësi më të madhe në zbatimin e reformave dhe investime të qëndrueshme në ekspertizën e specializuar dhe burimet operative.
Theksi vihet te nevoja që strategjitë, udhëzimet dhe mjetet digjitale të mos mbeten vetëm dokumente dhe mekanizma institucionalë, por të sjellin përmirësime të matshme në trajtimin e përditshëm të rasteve gjyqësore.
Në të njëjtën kohë, raporti nënvizon rëndësinë e garantimit të së drejtës për gjykim të drejtë dhe ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit.
Gjetjet dhe rekomandimet e raportit pritet të diskutohen në Forumin Gjyqësor Rajonal, i cili do të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2026 në Budvë të Malit të Zi. Në këtë forum do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë nga gjashtë juridiksionet e përfshira në projekt, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave për zbatimin e qëndrueshëm të reformave në drejtësi. /Telegrafi/