
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit aktual, Arben Vitia, pas vdekjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila, sipas organizatës “Renesansa”, kishte mbetur për katër muaj pa terapinë e nevojshme.
Përmes një reagimi në Facebook, Zemaj ka kritikuar menaxhimin e situatës dhe ka ngritur pikëpyetje lidhur me përgjegjësinë e ministrit dhe të Qeverisë.
“Si ndihet ministri i Shëndetësisë pasi ka dëgjuar zërin e pacientes, e cila humbi jetën në mungesë të ilaçeve? Si vazhdon ta arsyetojë e ta mbrojë këtë keqmenaxhim dhe këtë paaftësi edhe qeveria e mashtrimit?”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për prioritetet e institucioneve shëndetësore, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si mbrojtje të interesave të pushtetit në dëm të qytetarëve.
“Turpi s’ka kufij! Dorëheqja është më e pakta që do të duhej të ndodhte”, ka përfunduar Zemaj.
Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit, “Renesansa”, ka njoftuar se pacientja kishte mbetur për katër muaj pa medikamentin Palbociclib, ndërsa gjatë kësaj kohe gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe i ishin shfaqur metastaza të reja në tru.
Sipas raportimeve, bari kushton deri në 1 mijë e 800 euro, shumë që pacientja nuk kishte mundësi ta përballonte vetë.
Ndërkaq, ministri Vitia dhe Qeveria i kanë cilësuar si keqinformim raportimet lidhur me mungesën e terapisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali