Blog

  • Berisha: Familjet në Kosovë shpenzojnë mbi gjysmën e buxhetit për ushqim

    Berisha: Familjet në Kosovë shpenzojnë mbi gjysmën e buxhetit për ushqim

    Rritja e konsumit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mirëqenies së qytetarëve, sipas ekonomistes Brikena Berisha.

    E ftuar në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha ka folur për koston e jetesës dhe mënyrën se si duhet të interpretohen shpenzimet e familjeve kosovare.

    Ajo tha se një nga çështjet që duhet kuptuar është dallimi ndërmjet konsumit dhe mirëqenies.

    “Definitivisht, ajo që realisht është edhe zanafilla e asaj që më intereson mua, është që me u bo e ditur që konsumi nuk domethënë mirëqenie”, tha Berisha.

    Duke iu referuar Anketës së Ekonomive Familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ajo tha se mbi gjysma e buxhetit familjar mund të shkojë vetëm për ushqim.

    “Sipas Anketës së Ekonomive Familjare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, një familje në Kosovë, 55 për qind të buxhetit, e bile deri 65 për qind të buxhetit te familjet më të varfra, ju shkon në ushqim. Domethënë, më shumë se gjysma shkon në ushqim”, deklaroi Berisha.

    Sipas saj, fakti që qytetarët mund të shihen duke konsumuar apo blerë më shumë nuk duhet të merret automatikisht si dëshmi se mirëqenia e tyre është rritur.

    “Na mund të shohim që po blejnë më shumë, por në të njëjtën kohë e ardhmja është shumë e pasigurt për këta, sepse në të njëjtën kohë po rriten pritshmëritë se çka është jeta normale dhe kostot po rriten me konsumin”, tha ajo.

    Në diskutimin në “Rrugëtimi”, Berisha e trajtoi mirëqenien jo vetëm në aspektin e të ardhurave mujore, por edhe në raport me sigurinë ekonomike, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe mundësinë që familjet të planifikojnë të ardhmen.

    Intervistën e plotë me Brikena Berishën mund ta ndiqni në episodin e tetë të “Rrugëtimit”, prodhim i Telegrafit. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Mourinho: Man City? Do të jem 80 vjeç kur të vijë vendimi final, shpresoj të jem ende këtu

    Mourinho: Man City? Do të jem 80 vjeç kur të vijë vendimi final, shpresoj të jem ende këtu

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho dha një intervistë të gjatë për Corriere dello Sport, ku mes tjerash foli edhe për situatën e Manchester Cityt, klub të cilin e pati rival për shumë vite të tij si trajner në Ligën Premier.

    Duke folur për të përditshmen e Romës në një qytet ku ai stërviti dhe do të kthehet për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve, portugezi dha gjithashtu pikëpamjen e tij për rastin e Manchester City dhe iu rikthye një teme shumë të rëndësishme për të: gjyqtarët.

    “Manchester City? Do të doja të qeshja pak me këtë. Mendoj se do të arrijmë në një përfundim, por, duke qenë në të gjashtëdhjetat, do të duhet të jem mjaftueshëm me fat që të jem ende këtu kur të vijë vendimi përfundimtar. Tani do të vijë një vendim, pastaj një apel… Do të jem 80 vjeç”, ka thënë fillimisht Mourinho.

    “Gjyqtarët? Nuk mendoj se problemi jam unë. Mendoj se është fati i keq i lidhur me momentin kur mbërrij në një klub të caktuar. Këtu, te Real Madrid, kam përjetuar vitet e rëndësishme të rastit Negreira. Askush nuk e dinte, por ne i kaluam dhe i vuajtëm. Tani dihet”.

    “Pastaj në Turqi ndodhi skandali i madh. Shpesh e kam gjetur veten duke jetuar në këtë lloj situate”, përfundoi trajneri portugez.

    Ndryshe, City është shpallur fajtor në 114 nga 115 akuzat e Ligës Premier për rregullat e ndershme financiare, teksa Mourinho gjatë viteve kur akuzohet nga drejtuar klube si Chelsea, Manchester United dhe Tottenham Hotspur. /Telegrafi/

  • Puna e ëndrrave në Finlandë, paguhet 2,000 euro për shtatë ditë dhe detyra është pothuajse e pabesueshme

    Puna e ëndrrave në Finlandë, paguhet 2,000 euro për shtatë ditë dhe detyra është pothuajse e pabesueshme

    Imagjinoni një punë në të cilën duhet të udhëtoni nga një ishull në tjetrin, të thithni aromat e detit dhe pyjeve të pishave, të shijoni natyrën dhe të merrni 2,000 euro për këtë.

    Tingëllon si shaka, por pikërisht një mundësi e tillë ofrohet nga një organizatë turistike në Finlandë, e cila ka shpallur një konkurs ndërkombëtar për një profesion që pothuajse nuk ka ekzistuar kurrë deri më tani.

    Organizata turistike Visit Turku Archipelago po kërkon një person që të bëhet “hunda” zyrtare e Arkipelagut Turku, një nga zonat më të bukura natyrore në Finlandë.

    Detyra e saj do të jetë të eksplorojë ishujt, të njohë aromat karakteristike dhe t’ua paraqesë përvojat e saj njerëzve në mbarë botën.

    Organizatorët pohojnë se arkipelagu i tyre është një destinacion me aromat më të bukura në planet, por vendosën të mos e lënë këtë të mbetet vetëm një pretendim marketingu. Kjo është arsyeja pse duan të punësojnë dikë që do ta njohë zonën në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, duke përdorur kryesisht shqisën e nuhatjes.

    Pas fushatës së pazakontë qëndron agjencia e marketingut United Imaginations, dhe pjesëmarrja e aktorit francez Lambert Wilson, i njohur për rolin e tij në serialin filmik “The Matrix”, shkaktoi interes të veçantë. Ai shfaqet në filmin promovues si një njeri i ngarkuar me gjetjen e kandidatit ideal.

    Paga është 2,000 euro, dhe puna zgjat maksimumi shtatë ditë

    Edhe pse tingëllon si një truk promovues, organizatorët theksojnë se është një punë e vërtetë, e paguar, për të cilën do të nënshkruhet një kontratë pune me afat të caktuar me kandidatin e përzgjedhur.

    Angazhimi do të zgjasë nga pesë deri në shtatë ditë gjatë majit ose qershorit 2027, dhe data e saktë do të bihet dakord me kandidatin e përzgjedhur.

    Për atë periudhë, parashikohet një kompensim prej 2,000 eurosh bruto , me një kompensim shtesë statutor për lejen vjetore. Nuk bëhet fjalë për një pagë mujore, por për shumën totale për këtë angazhim afatshkurtër.

    Një përfitim i veçantë është se punëdhënësi mbulon plotësisht shpenzimet e udhëtimit për në arkipelag dhe akomodimin gjatë qëndrimit. Me fjalë të tjera, personi i përzgjedhur nuk do të duhet ta financojë vetë udhëtimin për në Finlandë ose hotelin.

  • Asnjë vend i sigurt: Si i ndjekin Irani dhe Rusia kundërshtarët e tyre në mërgim

    Asnjë vend i sigurt: Si i ndjekin Irani dhe Rusia kundërshtarët e tyre në mërgim

    Një të enjte, në fillim të marsit, Milad Pourtalebian u kthye në apartamentin e tij dhe gjeti se ai ishte bastisur dhe hallakatur.

    Më pas, vuri re një detaj rrëqethës që sugjeronte se kjo nuk ishte një vjedhje: Kapela e tij e bejsbollit me mbishkrimin “Make Iran Great Again” ishte ngulur në mur me një thikë të madhe kuzhine.

    Pourtalebian është shtetas iranian dhe, që kur mbërriti në Kanada në vitin 2024, ka organizuar tubime të opozitës iraniane në mërgim në qytetin e tij të adoptuar, Saskatun, në Saskatçevan.

    Thyerja në apartament, e cila ndodhi disa ditë pasi sulmet ajrore amerikane dhe izraelite nisën një luftë me Iranin, pasoi një seri kërcënimesh në internet ndaj 32-vjeçarit lidhur me aktivitetet e tij.

    Ai e raportoi menjëherë incidentin në polici, duke u thënë autoriteteve se ishte shënjestruar për arsye politike.

    “Incidenti fillimisht ishte jashtëzakonisht i frikshëm për mua”, i tha ai Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se që atëherë e ka kapërcyer këtë ndjenjë. “Vendosa të mos lejoj që frika të më ndalojë të shpreh pikëpamjet e mia politike. Mendoj për mijëra iranianë që kanë humbur jetën duke kërkuar lirinë”.

    Fotografitë, dokumentet e policisë dhe pamjet e ekraneve nga rrjetet sociale që Pourtalebian i ndau me Radion Evropa e Lirë japin një ide se, pavarësisht se ndodhet mijëra kilometra larg Iranit, ai nuk është jashtë mundësive të shërbimeve të sigurisë së vendit.

    Një postim në Telegram e denoncon atë për “aktivitete propagandistike kundër establishmentit politik” dhe për mbështetjen e “sulmit të Amerikës dhe regjimit zionist kundër Iranit”.

    Postimi përfundon duke thënë: “Ky person jeton në Saskatun. Disa muaj më parë, e gjetëm dhe ia përcollëm mesazhin tonë në shtëpinë e tij”.

    Kjo, tha Pourtalebian, ishte “veçanërisht shqetësuese”. Nga apartamenti i tij nuk ishte marrë asgjë dhe askush nuk është arrestuar.

    Represioni transnacional

    Përvoja e Pourtalebianit është specifike, por duket se është pjesë e një fenomeni më të gjerë, në të cilin shtetet autoritare ndjekin kundërshtarët e tyre edhe pasi ata gjejnë strehë në vende perëndimore që duken të sigurta.

    Irani ka praktikuar vrasje dhe sulme prej dekadash, por presioni i tij global shkon shumë përtej kërcënimeve fizike.

    Factnameh, një shërbim verifikimi faktesh në gjuhën perse, me bazë në Kanada, vuri në dukje kohët e fundit një rritje të “mbikëqyrjes së kryer nga turma, publikimit të të dhënave personale dhe frikësimit të mundësuar nga teknologjia, që synojnë kritikët jashtë Iranit”.

    Ndër mjetet e përdorura është Alaj, një faqe interneti ku njerëzit mund të bëjnë denoncime, e cila thuhet se mban dosje për rreth 1.600 persona.

    Televizioni shtetëror iranian i ka kërcënuar personat e përfshirë në këto lista me “sekuestrim të pasurive, pezullim të plotë të shërbimeve konsullore dhe Njoftime të Kuqe të Interpolit”, tha Factnameh.

    Një tjetër mjet, Goorkan (në persisht “Gërmuesi i Varreve”), publikon të dhëna personale të atyre që i quan “tradhtarë”.

    Shërbimet e inteligjencës amerikane, britanike dhe holandeze raportuan muajin e kaluar se Irani po zhvillonte një fushatë globale kibernetike.

    Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) tha se një program keqdashës i quajtur Heavygram ishte përdorur “për të kryer aktivitete keqdashëse kibernetike, për të shënjestruar disidentë iranianë, gazetarë kundër Iranit dhe grupe të tjera opozitare në mbarë botën”.

    Irani nuk është i vetmi në ndjekjen e kritikëve jashtë vendit.

    Yana Gorkhovskaia, drejtuese e kërkimit dhe analizës në Freedom House, me bazë në Uashington, ka vite që studion këtë fenomen.

    “Kina, Irani dhe Rusia janë ndër 10 autorët kryesorë të represionit transnacional, sipas të dhënave tona. Kina i tejkalon dukshëm të gjitha qeveritë e tjera”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë. “Nga këto tri vende, Rusia është shumë më e dhunshmja sa i përket atentateve dhe sulmeve”.

    Shembuj të njohur përfshijnë helmimet e dezertorëve Aleksandr Litvinenko dhe Sergei Skripal në Britani, si dhe sulmin me çekiç ndaj aktivistit të opozitës Leonid Volkov, bashkëpunëtor i disidentit të ndjerë rus, Aleksei Navalny, në Lituani.

    “Një lloj paranoje”

    Kjo është diçka që e shqetëson jashtëzakonisht shumë Mikhail Klimaryovin, një ekspert rus i sigurisë kibernetike dhe kritik i Kremlinit, i cili u largua nga Rusia pasi ajo nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.

    Tani që jeton në Berlin, ku bashkëpunon me Volkovin, 53-vjeçari i tha Radios Evropa e Lirë se, për shkak të kërcënimit, kishte vënë re tek vetja “një lloj paranoje”.

    “Jam tepër i shqetësuar për sigurinë. Të paktën nga këndvështrimi i një personi normal dhe të shëndetshëm. Kur jam jashtë, kontrolloj nëse po më ndjek dikush. Para se të prek dorezën e derës së apartamentit tim, e kontrolloj fillimisht, sepse ishte ai rasti kur një dorezë dere u lye me Noviçok”, tha ai.

    Por, Klimaryov tha se jeta e tij e përditshme ndikohej gjithashtu nga një mori presionesh më të vogla, që nga sulmet përmes mesazheve mashtruese deri te vështirësitë administrative, të cilat së bashku përbëjnë “një luftë psikologjike” të Moskës ndaj njerëzve si ai.

    Për shembull, ai nuk mund ta rinovojë pasaportën ruse, e cila skadon në vitin 2029. Kjo do të ndikojë në statusin e tij të qëndrimit në Gjermani.

    “Do të jetë një problem administrativ, dhe nuk do të jetë aq e thjeshtë sa mund të duket. Do të më duhet të punësoj një avokat”, tha ai.

    Klimaryov shpjegoi se nuk ka azil në Gjermani dhe nuk dëshiron të aplikojë për të, sepse kjo do të nënkuptonte se nuk do të mund të vazhdonte të drejtonte një biznes që punëson 20 persona.

    Udhëtimet janë një tjetër problem. Rusia e ka futur atë në një listë terroristësh, gjë që mund të shkaktojë probleme në çdo kufi.

    Ai kujtoi se, teksa po kthehej nga një udhëtim të fundit në Shtetet e Bashkuara, një oficer “me automatik dhe qen” e nxori nga radha e hipjes në avion dhe e mori në pyetje për 30 minuta.

    Rreziku i ekstradimit do të thotë se ai duhet të jetë i kujdesshëm se cilat vende viziton.

    Klimaryov është gjithashtu në listën e agjentëve të huaj në Rusi dhe ka borxhe prej rreth 1 milion dollarësh nga gjobat e vendosura ndaj tij nga autoritetet, për të cilat ai thotë se janë për arsye politike.

    Në shumë raste, ai nuk ka qenë në gjendje të merret me çështjet administrative që grumbulloheshin kundër tij në vendlindje, sepse numri i tij rus i telefonit u anulua, duke e penguar të komunikonte me autoritetet në internet ose të hynte në llogaritë e tij bankare në Rusi.

    Klimaryov thotë se nuk përdor telefon përveçse kur kjo i kërkohet nga autoritetet gjermane dhe nuk ia jep numrin askujt tjetër, për shkak të frikës nga hakerimi.

    Ai ndihmon rusë të tjerë që bien pre e sulmeve përmes mesazheve mashtruese dhe thotë se një herë edhe vetë pothuajse ra pre e një të tillë.

    “Arrita ta ndaloj veten në momentin e fundit. Ishte një mashtrim i një niveli shumë të lartë”, tha ai, duke përshkruar një shkëmbim të sofistikuar mesazhesh me dikë që hiqej si klient i mundshëm i kompanisë së tij. Pas disa javësh komunikimi, ai për pak sa nuk vendosi një kod të dërguar në Telegram, i cili mund t’i kishte komprometuar llogarinë.

    “A ndikon e gjithë kjo tek unë psikologjikisht? Sigurisht që po”, tha Klimaryov. “Kam kërkuar këshillë mjekësore…. Më kap paniku. Sulme paniku – e di se çfarë janë?”.

    Pavarësisht kësaj, Klimaryov këmbënguli se nuk e konsideron veten viktimë. “Jam më mirë se shumë njerëz. Nuk jam në burg. Mund të siguroj jetesën”.

    Por, Klimaryov shtoi se po shqyrton këshillën mjekësore për të pezulluar aktivitetet e tij politike si pasojë e presionit. Gorkhovskaia theksoi se pikërisht ky është qëllimi.

    “Mbikëqyrja, frikësimi, kërcënimet ndaj familjes, kërcënimet digjitale – ato funksionojnë, për t’i bërë njerëzit të paktën të mendojnë dy herë nëse ia vlen të marrin pjesë në një protestë ose të bëjnë diçka publikisht”, tha ajo.

    Sipas Freedom House, shtete të tjera kryesore përgjegjëse për represionin transnacional përfshijnë Turqinë, Arabinë Saudite dhe Ruandën.

    Gorkhovskaia tha se reagimi i fuqishëm dhe afatgjatë nga vendet perëndimore është i rrallë.

    Kjo ndodh si për shkak të mundësisë për mohim të besueshëm të praktikave të tilla, ashtu edhe për shkak të konsideratave më të gjera politike.

    “Autorët e represionit transnacional nuk paguajnë kosto për shënjestrimin e disidentëve jashtë vendit… Ata mësojnë nga njëri-tjetri se kjo është një praktikë që mund të vazhdojnë ta përdorin”, tha Gorkhovskaia.

    Pourtalebian tha se do të dëshironte të shihte një përgjigje më të ashpër nga Kanadaja, duke argumentuar se ajo “mbetet tepër e hapur ndaj individëve të lidhur me Republikën Islamike”.

    Policia e Saskatunit i tha Radios Evropa e Lirë se e kishte mbyllur dosjen e rastit, por do ta rihapte atë nëse “do të paraqitej informacion i mëtejshëm lidhur me një të dyshuar ose prova shtesë”. /REL/

  • Arrest shtëpiak dhe paraburgim për menaxherët financiarë të "Lotarisë Shtetërore", dyshohen për përvetësim të 1.3 milion eurove

    Arrest shtëpiak dhe paraburgim për menaxherët financiarë të “Lotarisë Shtetërore”, dyshohen për përvetësim të 1.3 milion eurove

    Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, duke vepruar sipas një propozimi nga Prokuroria, urdhëroi paraburgim dhe arrest shtëpiak për dy menaxherët e dyshuar financiarë të SH.A. “Lotaria Shtetërore” për “përvetësim në detyrë”.

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup dyshon se dy menaxherët financiarë të SH.A. “Lotaria Shtetërore” kanë kryer përvetësim në detyrë si bashkëkryerës, kështu që i gjithë qarkullimi ditor për vitin 2024, i cili u ishte besuar atyre nga pikat e shitjes, nuk ishte paguar dhe depozituar në llogaritë transaksionale të kompanisë në bankat komerciale, por përkundrazi e përvetësuan atë për vete dhe kështu përvetësuan paratë e besuara në detyrë në shumën prej 1.3 milion eurosh.

    Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë sipas nenit 354, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

    Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2024, i dyshuari i parë, në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit, dhe i dyshuari i dytë, në detyrën e Shefit të Çështjeve Financiare në Kompaninë Shtetërore të Lotarisë për Organizimin e Lojërave të Fatit, duke ushtruar kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta të përcaktuara me ligj, kanë marrë pjesë së bashku në veprime për të kryer veprën penale të përvetësimit me qëllim përfitimin e dobive pasurore të paligjshme për veten e tyre.

  • Receta e re Strudel Cherry nga Liri

    Receta e re Strudel Cherry nga Liri

    Familja e produkteve të Lirit pasurohet me një shije të re. Strudel Cherry i bashkohet kësaj familjeje për të sjellë një kombinim të ëmbël dhe një tjetër zgjedhje për momentet kur dëshironi të shijoni diçka ndryshe.

    Një produkt i ri, një shije që të fton ta provosh dhe i njëjti përkushtim ndaj cilësisë që karakterizon Liri-n.

    Me mbushje me shije qershie dhe praktik për t’u shijuar në çdo kohë, Strudel Cherry është një alternativë për ata që preferojnë shijet e ëmbla dhe kërkojnë diçka të veçantë për ta shoqëruar një pauzë gjatë ditës.

    Një shije e re nga Liri

    Pas çdo produkti të Lirit qëndron një proces ku vëmendja ndaj detajeve fillon që në përzgjedhjen e lëndëve të para dhe vazhdon në çdo fazë të prodhimit.

    Në Liri Prizren, recetat tradicionale ndërthuren me standardet moderne të prodhimit, duke ruajtur shijen dhe cilësinë që karakterizojnë produktet e saj.

    Kjo qasje është pjesë e mënyrës së punës së Lirit ndër vite dhe ka kontribuar që produktet e saj të jenë pjesë e përditshmërisë së shumë familjeve.

    Nga përzgjedhja e lëndëve të para deri te produkti final

    Cilësia nis shumë përpara se produkti të arrijë te konsumatori. Përzgjedhja e përbërësve dhe kujdesi në çdo fazë të përgatitjes janë pjesë e procesit që i jep formë produktit final.

    Me Strudel Cherry, kjo përvojë pasurohet me një tjetër recetë, të krijuar për ata që duan një shije të ëmbël në çdo moment të ditës.

    Sepse ndonjëherë mjafton një shije e mirë për ta bërë një moment edhe më të këndshëm.

    E sheh. E zgjedh. E shijon.

    Strudel Cherry – nga Liri.

  • Takimi me Kurtin, presidentja Shiroka-Pula: Bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

    Takimi me Kurtin, presidentja Shiroka-Pula: Bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Një njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit.

    “Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, pas takimit me presidenten e vendit, edhe kryeministri Albin Kurti është deklaruar për media.

    Ai falënderoi presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës për presidente.

    “Ishte një takim i parë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror të Republikës, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim…

    Tash na presin shumë punë e angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë, dijen e mundësinë që kemi do t’i shtyjmë përpara sa më shpejt që mundemi”, tha ai, raporton Telegrafi.

    Kurti u shpreh më tej se Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë ka institucionet plotësisht funksionale.

    “…Tash natyrisht se nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai, duke shtuar se hasi në mirëkuptimin dhe vullnetin e presidentes që të bashkërendohen maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. /Telegrafi/

  • Agjent i patundshmërive: Çfarë e përcakton suksesin në një profesion në rritje?

    Agjent i patundshmërive: Çfarë e përcakton suksesin në një profesion në rritje?

    Interesimi për të punuar si agjent i patundshmërive po rritet. Puna e agjentit lidhet me vendime që kanë peshë të madhe për klientin, nga blerja e një banese me kursimet familjare deri te gjetja e një hapësire për biznes. Në këto raste, rëndësi ka sa mirë e njeh agjenti tregun dhe sa qartë arrin t’ia shpjegojë klientit mundësitë që ka.

    1. Komunikimi

    Për blerësin, një pronë mund ta ketë çmimin e duhur dhe prapë të mos jetë zgjedhja e përshtatshme. Largësia nga puna, nevojat e familjes dhe mënyra e përdorimit e ndryshojnë vlerësimin. Kur agjenti i kupton këto arsye, kërkimi bëhet më i saktë dhe klienti kursen kohën që do të kalonte në vizita pa interes për të.

    Një vlerësim realist mund të mos përputhet me atë që pronari dëshiron të dëgjojë. Nga ana tjetër, kërkesa e blerësit mund të ndryshojë sapo të kuptojë më mirë çfarë i ofron buxheti i tij. Komunikimi i hapur i ndihmon palët t’i sqarojnë pritjet para se ato të bëhen pengesë për marrëveshjen.

    2. Njohja e tregut

    Shpalljet online e kanë bërë më të lehtë gjetjen e pronave. Për blerësin, megjithatë, mbetet puna e vlerësimit të ofertave dhe e dallimeve mes tyre. Dy banesa me sipërfaqe të ngjashme në të njëjtën lagje mund të kenë çmime të ndryshme për shkak të gjendjes, katit, parkingut apo dokumentacionit. Njohja e këtyre dallimeve e bën më të dobishme këshillën e agjentit.

    Çmimi i publikuar në shpallje shpreh kërkesën e pronarit. Për ta kuptuar sa i përgjigjet tregut, vlejnë krahasimet me prona të ngjashme dhe, kur ka të dhëna të besueshme, me shitjet e realizuara.

    Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur pritjet e pronarit lidhen me shpenzimet që ka bërë ose me vlerën personale që prona ka për të.

    3. Organizimi dhe menaxhimi i kohës

    Besimi formohet edhe mes telefonatave dhe takimeve. Pronari pret të kuptojë si po ecën shitja, ndërsa blerësi pret përgjigje për çështjet e mbetura pa sqarim.

    Për agjentin që punon me disa klientë e prona njëkohësisht, organizimi është ai që e mban këtë komunikim të rregullt dhe e ndihmon të respektojë afatet e premtuara.

    4. Aftësitë negociuese

    Kur interesi kthehet në ofertë, çmimi diskutohet bashkë me kushtet e pagesës dhe të dorëzimit. Një ofertë më e lartë, për shembull, mund të varet nga financimi që ende nuk është konfirmuar.

    Një tjetër mund t’i përshtatet më mirë afatit kur pronari kërkon ta përfundojë shitjen. Hapësira për marrëveshje mund të gjendet edhe te këto kushte, sidomos kur agjenti i kupton prioritetet e secilës palë.

    5. Përgjegjësia dhe profesionalizmi

    Një paqartësi rreth dokumentacionit ose asaj që përfshihet në çmim mund t’i ndryshojë bisedimet. Për këtë arsye, serioziteti i agjentit vërehet te informatat që jep dhe te dallimi që bën mes fakteve të konfirmuara e çështjeve ende të hapura.

    Bashkëpunimi me juristët dhe profesionistët përkatës, aty ku nevojitet, e ndihmon klientin të marrë sqarimin e duhur para se të vazhdojë.

    6. Etika në punë

    Transparenca merr peshë sidomos kur një problem i njohur me pronën mund ta bëjë shitjen më të vështirë. Fshehja e tij e lë klientin të vendosë pa informacionin që i nevojitet dhe e vë në rrezik besimin te agjenti.

    E njëjta marrëdhënie besimi lidhet me qartësinë për komisionin dhe me respektimin e informatave personale që klienti ndan gjatë bashkëpunimit.

    7. Trajnimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm

    Një karrierë në patundshmëri zhvillohet edhe përmes rasteve që nuk përfundojnë me marrëveshje. Ato e ndihmojnë agjentin të kuptojë ku ka munguar një informatë, ku pritjet kanë qenë të paqarta ose kur prona nuk i është përshtatur klientit.

    Trajnimet dhe përditësimi i njohurive për tregun, marketingun, teknologjinë dhe çështjet ligjore e financiare e plotësojnë këtë përvojë.

    Shitjet tregojnë rezultatin e punës, ndërsa klientët që rikthehen dhe rekomandimet flasin për cilësinë e shërbimit. Një klient i informuar dhe i trajtuar me korrektësi ka arsye t’ia besojë sërish një pronë të njëjtit agjent. Mënyra si realizohet një marrëveshje ndikon kështu edhe te puna që vjen pas saj.

  • IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë

    Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

    Nga IPK konfirmuan se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.

    Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.

    “IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK.

    Gjatë protestës, e cila u mbajt me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i kishte skaduar afati. Ato bombola të gazit lotsjellës Radio Dukagjini i kishte incizuar dhe janë këto në fotografi. /RadioDukagjini

    The post IPK nis hetim për gazin lotsjellës të përdorur në protestë appeared first on Insajderi.

  • Kosova në mesin e favoritëve për Ligën A të Kombeve, ja sa janë gjasat e “Dardanëve” për promovim

    Kosova në mesin e favoritëve për Ligën A të Kombeve, ja sa janë gjasat e “Dardanëve” për promovim

    Kombëtarja e Kosovës ka 21.7 për qind gjasa për t’u promovuar në Ligën A të Ligës së Kombeve, sipas parashikimeve të publikuara nga Football Rankings.

    “Dardanët” renditen në vendin e nëntë në listën e përfaqësueseve të Ligës B që kanë mundësi të ngjiten në nivelin më të lartë.

    Përpara Kosovës janë Zvicra me 99.5 për qind, Austria me 94.8 për qind, Suedia me 88 për qind, Hungaria me 71.3 për qind, Irlanda e Veriut me 59.4 për qind, Bosnja e Hercegovina me 46.3 për qind, Sllovenia me 39.5 për qind dhe Republika e Irlandës me 24.7 për qind.

    Kosova e ka nisur mirë aventurën në Ligën B, duke marrë fitoren 1-0 ndaj Republikës së Irlandës në ndeshjen e parë.

    Më pas, pësoi humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë, para se të barazonte pa gola me Izraelin dhe 1-1 me Austrinë në “Fadil Vokrri”.

    Pas katër ndeshjeve, Austria kryeson Grupin B3 me tetë pikë, ndërsa Kosova dhe Republika e Irlanda kanë nga pesë pikë. Izraeli është i fundit me dy pikë.

    Për Kosovën mbeten edhe dy ndeshje vendimtare në nëntor. Fillimisht, “Dardanët” do ta presin Izraelin më 14 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë do të përballen me Republikën e Irlandës në udhëtim.

    Sipas rregullave të edicionit 2026/27, vetëm fituesi i grupit në Ligën B siguron promovimin direkt në Ligën A. Ekipi që përfundon i dyti shkon në ‘play-off’-in e promovimit, ku përballet me një kundërshtar nga Liga A.

    Kjo do të thotë se rruga e Kosovës drejt Ligës A mbetet e hapur, por dy ndeshjet e fundit do të jenë përcaktuese për fatin e saj./Telegrafi/