Blog

  • Të neglizhosh një ndryshim të pazakontë në trup sot është e pafalshme? Sqaron onkologu Arben Bislimi

    Të neglizhosh një ndryshim të pazakontë në trup sot është e pafalshme? Sqaron onkologu Arben Bislimi

    Çdo ndryshim i pazakontë në trup duhet të merret seriozisht dhe të mos lihet pas dore. Kështu ka deklaruar onkologu Dr. Arben Bislimi, duke theksuar se në kohën kur qasja në informacione dhe shërbime mjekësore është më e madhe, neglizhimi i simptomave nuk duhet të ndodhë.

    Për këtë temë, Bislimi ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati, ku është diskutuar për kancerin, parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimet e sotme.

    Duke folur për simptomat që qytetarët nuk duhet t’i neglizhojnë, Bislimi tha se çdo gjë e pazakontë që vërehet në organizëm duhet të jetë arsye për konsultë me mjekun.

    “Unë mendoj se në kohën që po jetojmë, të neglizhohet diçka që ti e vëren se është e pazakontë dhe të mos kërkohet ndihma e mjekut, në këtë situatë, është e pafalshme”, tha ai.

    Sipas tij, krahasuar me vitet e mëparshme, sot mundësitë për t’u informuar dhe për të kërkuar ndihmë janë shumë më të mëdha.

    “Rrethanat tjera, viteve tjera ndoshta ka qenë më vështirë, po tash është edhe mundësia me informacione që po i marrim në vazhdimësi”, u shpreh onkologu.

    Duke u ndalur veçanërisht te kanceri i gjirit, Dr. Bislimi përmendi disa shenja që nuk duhet të kalojnë pa kontroll mjekësor.

    “Tash nëse flasim për gjirin, çdo masë, çdo tërheqje eventuale e mamillës, çdo ndryshim në simetri, çdo skuqje eventuale e gjirit”, tha ai.

    Megjithatë, ai theksoi se këto shenja shpesh mund të shfaqen në stade më të avancuara, ndërsa në fazat e hershme ndryshimet mund të jenë më të vështira për t’u identifikuar.

    “Këto janë veç në stadet më të avancuara, por te stadet e hershme është vështirë të identifikohen si të tilla”, tha Bislimi.

    Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, qëllimi i fushatave ndërgjegjësuese dhe i kontrolleve të rregullta është që sëmundja të zbulohet sa më herët, madje para se të japë simptoma të dukshme.

    “Qëllimi jonë dhe i fushatave është që të identifikojmë herët, akoma pa ardhur deri te krijimi i masës”, theksoi ai.

    Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

    – YouTube www.youtube.com

  • Dy gardianët kosovarë lirohen në Danimarkë, u akuzuan për rrahjen e një të burgosuri

    Dy gardianët kosovarë lirohen në Danimarkë, u akuzuan për rrahjen e një të burgosuri

    Dy gardianët kosovarë lirohen në Danimarkë, u akuzuan për rrahjen e një të burgosuri

    Dy zyrtarët korrektues nga Kosova, të dyshuar për sulm ndaj një të burgosuri në burgun “Vestre” në Kopenhagë, janë liruar pas seancës paraprake të mbajtur të mërkurën.

    Sipas medias daneze “Avisen”, gjykatësi ka vlerësuar se nuk ekziston rreziku që ata të arratisen, pasi të dy janë të punësuar nga Shërbimi Danez i Burgjeve dhe jetojnë në Danimarkë.

    Megjithatë, të dy vazhdojnë të jenë të dyshuar dhe e mohojnë fajësinë, raportojnë mediat daneze DR dhe TV 2.

    Sipas aktakuzës, incidenti ka ndodhur më 5 tetor, në një sektor të burgut “Vestre”. Dy zyrtarët dyshohet se, në bashkëpunim dhe pas një marrëveshjeje apo mirëkuptimi paraprak, e kanë goditur disa herë të burgosurin me grushte në fytyrë dhe në trup.

    Sipas policisë, të cituar nga TV 2, njëri prej zyrtarëve dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin në shtrat dhe e ka goditur në fytyrë. Më pas, zyrtari tjetër dyshohet se e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë dhe trup.

    Dy zyrtarët ishin arrestuar më 6 tetor dhe të mërkurën dolën para gjykatës për seancën paraprake.

    Pas rastit, Shërbimi Danez i Burgjeve ka bërë të ditur se do ta rishikojë trajnimin e zyrtarëve korrektues nga Kosova.

    Drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, tha se rasti ka ngritur pyetje nëse trajnimi dhe praktika e zyrtarëve nga Kosova janë të mjaftueshme.

    “Është e qartë se kur ndodh diçka e tillë, ne do të shikojmë nëse trajnimi ynë për ta është mjaftueshëm i mirë. A është praktika jonë me ta mjaftueshëm e mirë?”, tha Eliasen, sipas “Ni.dk”.

    Megjithatë, ajo theksoi se deri tani përvojat me zyrtarët korrektues nga Kosova kanë qenë të mira dhe e cilësoi rastin si një incident të izoluar, pasi është shumë ndryshe nga ajo që është parë deri më tani.

    Sipas aktakuzës, të dy zyrtarët ishin në detyrë dhe kishin përfunduar tashmë periudhën gjashtëmujore të trajnimit dhe praktikës.

    Megjithatë, edhe pas përfundimit të praktikës, zyrtarët nga Kosova duhet të shoqërohen nga zyrtarë danezë nëse qëndrojnë dhe punojnë për një periudhë të caktuar në Danimarkë.

    “Ata janë gjithmonë me zyrtarë danezë. Kur janë në trajnim, janë në trajnim me kolegë. Ata nuk punojnë vetëm”, tha Eliasen.

    E pyetur nëse mund të ketë besim se zyrtarët që do të punojnë në Kosovë do t’i trajtojnë siç duhet të burgosurit që Danimarka do t’i dërgojë atje, Eliasen tha se po.

    Për këtë arsye, sipas saj, Danimarka planifikon të krijojë një sistem të posaçëm mbikëqyrjeje në burgun në Kosovë.

    “Është larg, por synojmë që atje të funksionojë njësoj si në Danimarkë. Prandaj, duhet të kemi një lloj mbikëqyrjeje në korridoret atje. Për këtë po punojmë”, tha ajo.

    Eliasen tha se ideja për një sistem të tillë mbikëqyrjeje ka ekzistuar edhe më herët, por rasti i fundit tashmë është përfshirë në këtë proces.

    Marrëveshja për transferimin e të burgosurve në Kosovë është arritur në vitin 2021. Sipas planit, shtetasit e huaj të dënuar në Danimarkë dhe që duhet të dëbohen pas vuajtjes së dënimit, do të mund t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

    Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes është shtyrë disa herë. Ministri danez i Drejtësisë, Nicolai Wammen, njoftoi në shtator për një tjetër shtyrje.

    Sipas planit aktual, dhomat e burgjeve në Kosovë pritet të fillojnë të përdoren në fund të vitit 2027 ose, më së voni, në fillim të vitit 2028.

    Organizata e Burgjeve të Danimarkës ka bërë të ditur se deri tani 15 zyrtarë korrektues nga Kosova e kanë përfunduar trajnimin në Danimarkë, ndërsa 19 të tjerë janë aktualisht në trajnim.

    Ndërkohë, ministri Wammen ka konfirmuar se palët që mbështesin reformën e dënimeve do të informohen për rastin.

    “E marr shumë seriozisht incidentin në burgun Vestre. Rasti i është dorëzuar policisë dhe tani do ta ndjekë rrjedhën e tij në sistemin e drejtësisë”, tha Wammen në një deklaratë me shkrim.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Dy gardianët kosovarë lirohen në Danimarkë, u akuzuan për rrahjen e një të burgosuri appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Arrestohet një person Prizren, dyshohet se ofroi 40 euro për të mos raportuar prerjen e kundërligjshme të druve

    Arrestohet një person Prizren, dyshohet se ofroi 40 euro për të mos raportuar prerjen e kundërligjshme të druve

    Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se i kishte ofruar ryshfet një mbikëqyrësi të Parkut Nacional në Dragash, në këmbim të mosprocedimit të rastit për prerje të kundërligjshme të druve.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari dyshohet se i kishte ofruar ankuesit dy herë nga 20 euro, pasi kishte prerë dru në mënyrë të kundërligjshme brenda zonës së parkut.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Burimi: Dukagjini

  • Diplomatja Harxhi: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja Harxhi: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja Harxhi: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

    Diplomatja Edit Harxhi ka folur të mërkurën në emisionin “Noë me Erla Mëhillin” për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente e re e Kosovës.

    Harxhi u ndal te origjina e presidentes së re, duke treguar për lidhjet e familjes së saj me Shkodrën dhe Prizrenin.

    “E fundit që për mua ka rëndësi është që ajo është me origjinë nga Shqipëria. Zonja Shiroka është me origjinë nga Shkodra, ata janë katolikë të Shkodrës të cilët kanë jetuar në Prizren në lagjen e katolikëve. Babai i saj ka qenë argjendari i filigranit në Kosovë Simon Shiroka. Ajo ka qenë e martuar nga familja Pula, është një familje e njohur nga Gjakova. Babai i saj ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm te ajo. Për mua është shumë e bukur që është katolike”, tha Edit Harxhi.

    Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota, në votimin e zhvilluar në ditën e fundit të afatit kushtetues. Ajo më herët ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave.

    The post Diplomatja Harxhi: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra appeared first on Insajderi.

  • 40 aksidente dhe 2335 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    40 aksidente dhe 2335 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 15 aksidente me të lënduar dhe 25 të tjera me dëme materiale. Policia brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2335 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 23 persona, 8 i ka dërguar në mbajtje.

    Burimi: RTKLive

  • SpaceX synon të mbledhë 40 miliardë dollarë për të blerë çipa të Nvidia-s

    SpaceX synon të mbledhë 40 miliardë dollarë për të blerë çipa të Nvidia-s

    Sipas raportit, financimi do të udhëhiqet nga Apollo Global Management dhe do të përfshijë rreth 10 miliardë dollarë kredi bankare dhe 30 miliardë dollarë borxh të vlerësuar si investim i klasës së parë. Transaksioni pritet të përfundojë në vitin 2027.

    Në negociata për financimin është përfshirë edhe menaxheri i madh i fondeve të obligacioneve Pimco.

    Marrëveshja e jashtëzakonshme tregon përmasat gjithnjë e më të mëdha të investimeve që kompanitë po bëjnë për të siguruar çipat, qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

    Nvidia ka ndërkohë një rol gjithnjë e më të madh në financimin e këtij zgjerimi. Kompania ka krijuar një partneritet me disa nga institucionet më të mëdha financiare të Wall Street për të mobilizuar më shumë se 500 miliardë dollarë për projekte të infrastrukturës së AI. 

    Burimi: RTKLive

  • Mbahet Cyber Security Conference nga IPKO (VIDEO)

    Mbahet Cyber Security Conference nga IPKO (VIDEO)

    Mbahet Cyber Security Conference nga IPKO (VIDEO)

    IPKO ka organizuar “Cyber Security Conference”, një konferencë e dedikuar rritjes së vetëdijesimit për sigurinë kibernetike dhe rreziqet që shfaqen në botën online.

    Afrika Zyferl-Badivuku nga IPKO, në një deklaratë për Klan Kosovën, tha se qëllimi i konferencës që nga edicioni i parë ka qenë informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bizneseve, veçanërisht bizneseve të vogla dhe të mesme, për rreziqet kibernetike.

    “Prej edicionit të parë, qëllimi i kësaj konference është ngritja e vetëdijësimit te qytetarët, të bizneseve, e sidomos të bizneseve të vogla dhe të mesme për rreziqet që na shfaqen online. Teknologjia po zhvillohet, dhe me zhvillimin e teknologjisë po rriten edhe rreziqet e botës online, mundësitë më të mëdha për sulme, mundësitë më të mëdha për humbje të të dhënave, dhe mundësitë për humbje financiare”, tha Zyferl-Badivuku.

    Sipas saj, këtë vit konferenca ka marrë një dimension më të gjerë, duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e përvojave mes operatorëve të ndryshëm.

    “Dallimi nga vitet e kaluara është që këtë vit e kemi ngritur nivelin e kësaj konference në bashkëpunim rajonal. Kemi ftuar operatorë nga rajoni, për me zhvillu një bisedë konstruktive dhe me pa, sepse kjo bota e teknologjisë online dhe bota e sulmeve kibernetike është e njëjta në krejt botën”, deklaroi ajo.

    Zyferl-Badivuku theksoi se përballja me kërcënimet kibernetike kërkon bashkëpunim në të gjitha nivelet, nga institucionet shtetërore e deri te përdoruesit individualë.

    “Ne po mundohemi në nivel rajonal me bashkëbisedu dhe me pa cilat janë zgjedhjet më të mira të mundshme, duke filluar që nga niveli më i lartë centralo, ose Qeveria, deri te përdoruesi individual, dhe me pa së bashku çka mundemi me bë që me qenë sa më të mbrojtur”, u shpreh ajo.

    Konferenca synon të shërbejë si platformë për diskutim dhe bashkëpunim në adresimin e sfidave që sjellin sulmet kibernetike, humbja e të dhënave dhe rreziqet financiare në një kohë kur teknologjia po zhvillohet me ritme të shpejta.

  • Remi: UÇK-ja arriti ta ruante pastërtinë e saj morale

    Remi: UÇK-ja arriti ta ruante pastërtinë e saj morale

    Remi: UÇK-ja arriti ta ruante pastërtinë e saj morale

    Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, ka vlerësuar lart rolin dhe trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke veçuar edhe figurën e komandantit Zahir Pajaziti si një prej shembujve të guximit dhe vendosmërisë së luftëtarëve të UÇK-së.

    Në një shkrim kushtuar UÇK-së dhe trashëgimisë së saj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka theksuar se, sipas tij, organizata arriti të ruante atë që ai e konsideron si “pastërtinë morale dhe organizative”.

    “UÇK-ja arriti të ruante pastërtinë e saj morale dhe organizative, duke u mbrojtur me kujdes nga çdo infiltrim armiqësor në procesin e vendimmarrjes”, ka shkruar Mustafa transmeton Klankosova.tv.

    Ai ka përmendur edhe vlerësimet që, sipas tij, i janë bërë UÇK-së nga analistë ndërkombëtarë, duke e cilësuar atë si një prej formacioneve kryengritëse më të suksesshme në historinë moderne.

    “Analistët ndërkombëtarë e kanë cilësuar UÇK-në si një nga formacionet më të suksesshme kryengritëse në historinë moderne”, thuhet në shkrimin e tij.

    Mustafa ka vlerësuar gjithashtu vendosmërinë e udhëheqësve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, besuan deri në fund në fitoren dhe lirinë e Kosovës.

    “Udhëheqësit e saj besuan deri në fund te fitorja dhe liria”, ka theksuar ai.

    Në veçanti, “Remi” është ndalur te komandanti Zahir Pajaziti, një prej figurave të rëndësishme të fazës së hershme të organizimit të UÇK-së. Pajaziti ra më 31 janar 1997 dhe në literaturën historike është përshkruar si një prej ideatorëve dhe organizatorëve të hershëm të formacionit çlirimtar.

    “Komandanti Zahir Pajaziti qëndron si shembull i heroit që mposhti frikën për t’i dhënë guxim një kombi të tërë”, ka shkruar Rrustem Mustafa.

  • I dyshuari për vjedhje arratiset nga QKMF-ja, kapet nga policia

    I dyshuari për vjedhje arratiset nga QKMF-ja, kapet nga policia

    I dyshuari për vjedhje arratiset nga QKMF-ja, kapet nga policia

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Suharekë, i cili dyshohet se ishte arratisur nga QKMF-ja derisa po merrte tretman mjekësor.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari mashkull kosovar ishte larguar nga QKMF-ja më 7 tetor, ndërsa ndaj tij kishte dyshime për kryerjen e disa vjedhjeve në lokacione të ndryshm, njofton Klankosova.tv.

    Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar nga Policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si “Arratisje e personit të privuar nga liria”.

  • Trupi i huaj i bllokoi frymëmarrjen, mjekët e QKUK-së shpëtojnë 63-vjeçaren

    Trupi i huaj i bllokoi frymëmarrjen, mjekët e QKUK-së shpëtojnë 63-vjeçaren

    Trupi i huaj i bllokoi frymëmarrjen, mjekët e QKUK-së shpëtojnë 63-vjeçaren

    Një ndërhyrje urgjente është realizuar me sukses në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ekipet mjekësore kanë larguar një trup të huaj nga rrugët e frymëmarrjes së një pacienteje 63-vjeçare.

    Pacientja ishte paraqitur si rast urgjent, me dyshim për praninë e një trupi të huaj në rrugët e frymëmarrjes. Pas kryerjes së tomografisë së kompjuterizuar (CT) të toraksit, mjekët kanë konfirmuar praninë e trupit të huaj në bronkun kryesor të majtë, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas të dhënave të Klinikës, trupi i huaj kishte shkaktuar bllokim të plotë të lumenit bronkial, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin dhe për komplikime potencialisht kërcënuese për jetën.

    Për shkak të gjendjes urgjente, ekipi i Klinikës së Pulmologjisë ka intervenuar menjëherë përmes bronkoskopisë, me qëllim largimin e trupit të huaj dhe lirimin e rrugëve të frymëmarrjes.

    Ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme dhe trupi i huaj është larguar, ndërsa pacientes i është ofruar trajtimi dhe kujdesi i nevojshëm mjekësor.