Blog

  • Berisha: Vlora Hyseni ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet, kjo skemë mafioze rrezikon edhe NATO-n

    Berisha: Vlora Hyseni ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet, kjo skemë mafioze rrezikon edhe NATO-n

    Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Roni Yeffet.

    Sipas kreut të selisë blu ata kanë pasur lidhje dhe se Shërbimi Informativ është vendosur nën një kontroll të dyfishtë, duke rrezikuar NATO-n, raporton A2cnn.

    “Në komisionin e sigurisë, Vlora Hyseni e pyetur për lidhjet me Ergys Agasin, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të veçantë me të dhe ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. E kuptoni se si është i ngërthyer i quajturi shërbimi informativ kombëtar, në njërën anë Agasi, në anën tjetër Roni Yeffet. Shërbimi informativ ishte vënë nën një kontroll të dyfishtë, të Agasit dhe Roni Yeffet. Kjo është një nga skemat më mafioze. Një vend anëtar i NATO-s që aplikon skemë të tillë mafioze në fushën e mbrojtjes, kryen një akt shumë të rëndë ndaj vendit të tij, por edhe ndaj aleancës”, tha Berisha.

    Berisha tha gjithashtu se Yeffet është përfshirë në një skemë që lidhet me tregtinë e armëve dhe kontrata me fonde publike. Sipas Berishës, Yeffet është bërë përfitues i rreth 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit dhe i pronave publike.

    “Në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro. Aktiviteti i tij është një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare të Shqipërisë ndaj dhe e dënoj me forcën më të madhe”, tha Berisha.

    Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për mbështetje të kësaj skeme dhe tha se Yeffet, gjatë kontrollit në banesën e tij, ka telefonuar disa herë kryeministrin Edi Rama dhe Linda Ramën, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Historia e të famshmit Roni Yeffet është histori personale e Edi Ramës. Ky personazh i implikuar në një mori aferash mafioze korruptive si përfaqësues i Edi Ramës, u kontrollua para pak ditësh në banesën e tij nga organet ligjzbatuese. Qytetari digjital informoi se nga kontrolli ai mbeti i fandaksur se nuk e besonte kurrë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se ai gjatë kontrollit mori të paktën 4 herë në telefon Edi Ramën dhe tre herë Linda Ramën, por në telefon nuk iu përgjigj njeri. Sidoqoftë, këto janë çështje të drejtësisë dhe do i verifikojë drejtësia”, deklaroi Berisha.

  • Arabia Saudite zgjeron vizat turistike, përfshihet edhe Kosova

    Arabia Saudite zgjeron vizat turistike, përfshihet edhe Kosova

    Arabia Saudite ka zgjeruar skemën e vizave turistike duke përfshirë qytetarët e Kosovës dhe Guajanës, të cilët tashmë mund të aplikojnë për vizë elektronike ose ta marrin atë në mbërritje në pikat e hyrjes në Mbretëri.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi se Republika e Kosovës dhe Republika Kooperative e Guajanës i janë shtuar listës së vendeve, qytetarët e të cilave përfitojnë nga procedurat e thjeshtësuara për marrjen e vizës turistike.

    Viza u mundëson udhëtarëve të vizitojnë Arabinë Saudite për qëllime të ndryshme, përfshirë turizmin, pjesëmarrjen në ngjarje, ekspozita dhe konferenca, transmeton Telegrafi.

    Sipas ministrisë saudite, mbajtësit e vizës mund ta përdorin atë gjithashtu për të kryer Umren, si dhe për të vizituar të afërmit dhe miqtë në vend.

    Zgjerimi i skemës është pjesë e përpjekjeve të Arabisë Saudite për të hapur vendin ndaj një numri më të madh vizitorësh ndërkombëtarë dhe për të thjeshtuar procedurat e hyrjes.

    Rijadi synon gjithashtu t’ua lehtësojë turistëve pjesëmarrjen në kalendarin gjithnjë e më të pasur të ngjarjeve, si dhe vizitat në atraksionet turistike dhe kulturore të vendit.

    Në vitet e fundit, Arabia Saudite ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit të turizmit, si pjesë e strategjisë për diversifikimin e ekonomisë dhe reduktimin e varësisë nga nafta, duke synuar tërheqjen e miliona vizitorëve të huaj. /Telegrafi/

  • Benini ka një “plan special” për Messin, përgjigjja e mbrojtësit po bën xhiron e botës

    Benini ka një “plan special” për Messin, përgjigjja e mbrojtësit po bën xhiron e botës

    Mbrojtësi i Beninit, Mohamed Tijani, është bërë viral me deklaratën e tij para përballjes me Argjentinën, duke zbuluar se skuadra e tij nuk ka një plan të veçantë për ta ndalur Lionel Messin.

    Messi pritet të luajë ndeshjen e fundit me Argjentinën, teksa “Albiceleste” do të përballet me Beninin në stadiumin “Monumental” në Buenos Aires të martën mbrëma.

    39-vjeçari është rekordmen i Argjentinës për paraqitje dhe gola, me 125 realizime në 207 ndeshje, ndërsa kjo sfidë pritet të jetë një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij me kombëtaren.

    I pyetur nga një gazetar i mediumit argjentinas C5N se si do të tentojë Benini ta ndalojë yllin e Inter Miamit, Tijani dha një përgjigje befasuese.

    “Ne nuk kemi nevojë ta markojmë Messin. Do ta shijojmë këtë ndeshje. Nuk ka asnjë plan të veçantë për ta mbrojtur ndaj Messit, thjesht duhet ta shijojmë këtë ndeshje dhe kaq”, deklaroi ai.

    Më pas, ish-mbrojtësi i Rayo Vallecanos e shprehu hapur admirimin e tij për kapitenin argjentinas.

    “Messi, ti je Zoti. Për mua, ai është më i miri në botë”, u shpreh Tijani.

    Në intervistë u përfshi edhe mjeku i kombëtares së Beninit, i cili e përforcoi deklaratën e mbrojtësit: “Ai është më i miri në botë. Ai është Zoti i futbollit”./Telegrafi/

  • Konservatorët premtojnë 10 miliardë funte për “mburojën britanike” kundër dronëve dhe raketave

    Konservatorët premtojnë 10 miliardë funte për “mburojën britanike” kundër dronëve dhe raketave

    Partia Konservatore në Britani ka premtuar se do të investojë 10 miliardë funte në një sistem të ri të integruar të mbrojtjes ajrore, nëse rikthehet në pushtet.

    Projekti, i pagëzuar “Britannia Shield”, është prezantuar fillimisht si një version britanik i frymëzuar nga Iron Dome i Izraelit, transmeton Telegrafi.

    Sistemi do të përfshinte një rrjet të ri radarësh, sisteme të avancuara të komandës dhe kontrollit, raketa interceptuese dhe teknologji kundër dronëve. Synimi do të ishte mbrojtja e infrastrukturës kritike, bazave ushtarake dhe territoreve britanike nga sulmet me raketa dhe dronë.

    Liderja konservatore Kemi Badenoch tha se lufta po ndryshon dhe se Britania duhet të përgatitet për një realitet ku kërcënimet ajrore mund të vijnë jo vetëm nga distanca të mëdha, por edhe nga dronë që mund t’i afrohen territorit britanik.

    “Lufta po ndryshon. Nuk janë më vetëm raketat që vijnë nga shumë larg. Me teknologjinë e dronëve, kundërshtarët mund të afrohen mjaftueshëm për të sulmuar Britaninë”, tha Badenoch.

    Sipas planit, 10 miliardë funte do të shpenzoheshin gjatë një periudhe 10-vjeçare, me rreth 1 miliard funte në vit. Konservatorët thonë se projekti do të financohej brenda angazhimit të tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3 për qind të PBB-së deri në vitin 2030, përmes reformave në mirëqenie dhe riorganizimit të shpenzimeve ekzistuese.

    Megjithatë, Badenoch është distancuar nga ideja se Britania do të ndërtojë një kopje të Iron Dome. Në intervista televizive, ajo theksoi se sistemi do të projektohet posaçërisht për kërcënimet me të cilat përballet Mbretëria e Bashkuar dhe nuk do të jetë i njëjtë me sistemin izraelit.

    “Ne nuk po ndërtojmë Iron Dome. Po projektojmë diçka specifike për llojin e kërcënimit me të cilin përballemi këtu”, tha ajo.

    Kjo është një pikë e rëndësishme, pasi një mbrojtje ajrore me shumë shtresa në stilin e plotë izraelit do të kushtonte shumë më tepër. Ish-gjenerali britanik Sir Richard Barrons ka vlerësuar se një sistem bazë i këtij lloji mund të kushtojë rreth 80 miliardë funte gjatë 10 viteve, ndërsa vlerësime të tjera të raportuara së fundmi e vendosin koston e një sistemi të plotë edhe mbi 100 miliardë funte.

    Eksperti i RUSI-t, Sidharth Kaushal, tha se 10 miliardë funte mund të mjaftojnë për disa prej nevojave kryesore të Britanisë, përfshirë radarët me rreze të gjatë dhe kapacitete të tjera ajrore, por jo domosdoshmërisht për një sistem të plotë të ngjashëm me atë izraelit.

    Propozimi konservator do të kishte tri shtylla kryesore: radarë të rinj të avancuar, një sistem të përmirësuar komandimi dhe kontrolli që do të bashkonte të dhënat nga kapacitete të ndryshme mbrojtëse dhe do të ndihmonte në përcaktimin e shpejtë të përgjigjes, si dhe raketa të reja interceptuese dhe sisteme kundër dronëve.

    Struktura në tri nivele ngjan me sistemin britanik Sky Sabre, i cili mund të interceptojë raketa dhe avionë dhe të integrohet me sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore. Sky Sabre është përdorur gjithashtu në Lindjen e Mesme për mbrojtje ndaj sulmeve iraniane.

    Konservatorët argumentojnë se nevoja për forcimin e mbrojtjes ajrore është bërë më urgjente për shkak të ndryshimit të natyrës së luftës dhe rasteve të përsëritura të hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s.

    Ata i janë referuar edhe një raporti të komisionit parlamentar të mbrojtjes, i cili paralajmëronte se Britania mbetet prapa disa aleatëve evropianë në përgatitjet për mbrojtjen e territorit dhe territoreve të saj jashtë vendit nga një sulm ushtarak.

    Nëse zbatohet, projekti do të ishte një nga programet më të mëdha të mbrojtjes së Britanisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

    Por qeveria laburiste e ka sulmuar planin. Sekretari i Mbrojtjes, Wes Streeting, akuzoi konservatorët për një bilanc të dobët gjatë viteve të tyre në pushtet, duke thënë se ata “i detyrohen Britanisë një kërkimfalje, jo një tjetër leksion”.

    Streeting tha gjithashtu se konservatorët e kishin reduktuar ushtrinë në nivelin më të ulët që nga koha e Napoleonit dhe kishin lënë një boshllëk prej 17 miliardë funtesh në planin e pajisjeve ushtarake.

    Ndërkohë, qeveria aktuale po planifikon të investojë më shumë se 350 milionë funte për të dyfishuar numrin e sistemeve Sky Sabre të përdorura nga ushtria britanike.

    Debati për mbrojtjen ajrore zhvillohet në një kohë kur Britania përballet edhe me presion për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt objektivit të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 3.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035. /Telegrafi/

  • U raportuan efekte anësore në Kroaci, pezullohet përkohësisht vaksina "BCG" në Maqedoni

    U raportuan efekte anësore në Kroaci, pezullohet përkohësisht vaksina “BCG” në Maqedoni

    Ministria e Shëndetësisë njofton se përkohësisht pezullohet imunizimi me vaksinën BCG, pas informacioneve të publikuara në mediat kroate për reaksione të padëshiruara nga kjo vaksinë. Komisioni për Imunizim ka kontaktuar MALMED-in për të marrë informacione mbi seritë e vaksinave që përdoren në vend, pasi bëhet fjalë për të njëjtin prodhues.

    Sipas Ministrisë, imunizimi me BCG është i detyrueshëm, pasi Maqedonia e Veriut konsiderohet vend me rrezik të lartë për tuberkuloz. Vendimi për pezullimin e përkohshëm do të mbetet në fuqi deri në marrjen e të dhënave të plota për seritë, cilësinë e vaksinës dhe lidhjen e mundshme me reaksionet e padëshiruara. Ministria thekson se gjatë 10 viteve të fundit, në MALMED është raportuar vetëm një rast i dyshuar për reaksion të padëshiruar nga vaksina BCG, në vitin 2022.

    “Në lidhje me informacionet e publikuara në mediat kroate për reaksionet e padëshiruara nga vaksina BCG, Komisioni për Imunizim në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë u mblodh menjëherë. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin prodhues, menjëherë u kontaktua Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED) dhe u kërkuan informacione lidhur me seritë e vaksinave që përdoren në vendin tonë”.

    “Theksojmë se imunizimi me këtë vaksinë në vendin tonë është i detyrueshëm, duke pasur parasysh se vendi konsiderohet me rrezik të lartë për tuberkuloz. Aktualisht, në Institutin për TBC janë 95 pacientë me tuberkulozë, prej të cilëve 83 janë raste të regjistruara gjatë këtij viti, ndërsa në Spitalin e Fëmijëve „Kozle“ në vitin 2025 janë evidentuar 15 raste, kurse në vitin 2026 janë evidentuar 12 raste të reja”.

    “Në bazë të sa më sipër, Komisioni për Imunizim miratoi përfundim për shtyrjen e përkohshme të imunizimit me këtë vaksinë, deri në marrjen e informacioneve të plota lidhur me seritë, cilësinë e tyre dhe ndërlidhjen e tyre me shfaqjen e reaksioneve të padëshiruara. Njëkohësisht, theksojmë se gjatë dhjetë viteve të fundit, në MALMED është pranuar vetëm një raportim për dyshim për reaksion të padëshiruar nga vaksina BCG (në gusht të vitit 2022), i cili kishte të bënte me shfaqjen e një abscesi në vendin e aplikimit të vaksinës, që si reaksion është përshkruar në udhëzimin për përdorimin e vaksinës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Kroacia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës BCG për të porsalindurit, pasi janë raportuar katër raste të rralla të inflamacionit të kockave, të dyshuara si reaksion i padëshiruar pas vaksinimit.

    Të katër fëmijët ishin vaksinuar në vitin 2024 dhe në fillim të vitit 2025 me vaksinë nga i njëjti prodhues bullgar. Për këtë arsye, autoritetet kroate kanë ndaluar shpërndarjen dhe përdorimin e të gjitha serive të vaksinës nga ky prodhues.

  • Dërguti: Kurti si protestues i quante policët "majmunë" (VIDEO)

    Dërguti: Kurti si protestues i quante policët “majmunë” (VIDEO)

    Dërguti: Kurti si protestues i quante policët "majmunë" (VIDEO)

    Ish-deputetja Aida Dërguti, ka komentuar zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe protestën me kërkesë për votimin në leximin e dytë të ndryshimeve të Ligjit për Specialen.

    Dërguti foli edhe komentoi protestën e mbrëmshme dhe përplasjen mes protestuesve dhe policisë.

    Ai kujtoi edhe një veprim në të kaluarën të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili i kishte quajtur ata “majmunë”.

    “Ky Kurti i cili kur ka qenë si protestues i quante “majmunë” njësitë elitare, të njëjtit “majmunë” i përdori kundër protestueve”, deklaroi Dërguti në emisionin Kosova Today në Klan Kosova.

  • Sindikata e Policisë dënon dhunën në protesta: Policët nuk janë palë në asnjë debat politik

    Sindikata e Policisë dënon dhunën në protesta: Policët nuk janë palë në asnjë debat politik

    Sindikata e Policisë dënon dhunën në protesta: Policët nuk janë palë në asnjë debat politik

    Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka diskutuar zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë situatën e krijuar gjatë protestave në Prishtinë dhe angazhimin e zyrtarëve policorë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

    Në një reagim, Sindikata e Policisë ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është një e drejtë themelore dhe duhet të respektohet e garantohet, transmeton Klankosova.tv

    Megjithatë, sindikata ka dënuar çdo formë dhune ndaj zyrtarëve policorë, institucioneve dhe qytetarëve.

    “Kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në dhunë ndaj zyrtarëve policorë, institucioneve apo qytetarëve të tjerë.”

    Sindikata ka dënuar hedhjen e mjeteve piroteknike dhe të mjeteve të forta në drejtim të policisë, duke theksuar se zyrtarët policorë nuk janë palë në debatet politike.

    “Policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik. Ata janë profesionistë të uniformuar, të cilët në këto rrethana kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve.”

    SPK ka shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren, duke thënë se ata po kryejnë detyrën e tyre edhe në situata të tensionuara.

    Sindikata u ka bërë thirrje të gjitha palëve që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos shndërrohen në përplasje me policinë.

    “Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.”

    Në fund, Sindikata ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, transmeton Klankosova.tv.

    “Çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është një prind, një fëmijë, një vëlla apo një motër që në fund të ndërrimit pret të kthehet shëndoshë e mirë pranë familjes së tij.”

  • Dërguti: Protestuesit e kanë kuptuar drejtë vendimin e 16 shtatorit, UÇK duhet t'i mbledh të gjithë

    Dërguti: Protestuesit e kanë kuptuar drejtë vendimin e 16 shtatorit, UÇK duhet t’i mbledh të gjithë

    Dërguti: Protestuesit e kanë kuptuar drejtë vendimin e 16 shtatorit, UÇK duhet t'i mbledh të gjithë

    Ish-deputetja Aida Dërguti ka folur për protestat në Prishtinë, duke thënë se një pjesë e qytetarëve e kanë kuptuar saktë situatën pas aktgjykimit të 16 shtatorit.

    Në Klan Kosova, Dërguti tha se vendimi është “i kundërligjshëm dhe politik”, duke thënë se, sipas saj, ka pasoja të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës, raporto

    “Që nga 16 shtatori, janë këta protestues që e kanë kuptuar drejtë se çka ka ndodhë me vendimin e 16 shtatorit. Aktgjykim i kundërligjshëm dhe politik, i cili ka pasoja të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës”.

    Ajo theksoi se çështja e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara është njëra nga kërkesat e protestuesve, ndërsa kritikoi deputetët për veprimet e tyre.

    “Çështja e ligjit është njëra ndër kërkesat. Pra, protesta s’ka nevojë për 100 deputetë protestues, por në Kuvend që të bëjnë së paku ndonjë veprim.

    Emëruesi i përbashkët është UÇK-ja, që është shënjuesi i epokave, që bën prerjen mes robërisë dhe lirisë. UÇK-ja do të duhej t’i mblidhte të gjithëve”, deklaroi Dërguti. /Klankosova.tv

  • Shqiptarja sjell në jetën fëmijën e 11-të, ky është emri i veçantë (VIDEO)

    Shqiptarja sjell në jetën fëmijën e 11-të, ky është emri i veçantë (VIDEO)

    Shqiptarja sjell në jetën fëmijën e 11-të, ky është emri i veçantë (VIDEO)

    Një lindje e veçantë është regjistruar në Spitalin e Tiranës, ku në jetë ka ardhur Zeidi, fëmija i 11-të i çiftit Fatmirë dhe Ervin.

    Sipas njoftimit të spitalit, Zeidi ka lindur nën përkujdesjen e stafit mjekësor, ashtu si edhe dhjetë fëmijët e tjerë të familjes.

    “Zeid është bebi i 11 i mami Fatmirës e babi Ervinit dhe erdhi në jetë ashtu si edhe 10 fëmijët e tjerë të çiftit, mes përkujdesjes së stafit tonë”, thuhet në njoftimin e spitalit, transmeton Klankosova.tv.

    Stafi i institucionit i ka uruar shëndet foshnjës dhe familjes, duke e cilësuar ardhjen në jetë të fëmijës së 11-të si një rast të rrallë në ditët e sotme.

    “Shumë urime për familjen e madhe, një rast i rrallë në kohët ku jetojmë”, thuhet në urimin e spitalit.

  • Haziri u bën thirrje protestuesve: Mos gjuani mjete piroteknike drejt policisë

    Haziri u bën thirrje protestuesve: Mos gjuani mjete piroteknike drejt policisë

    Haziri u bën thirrje protestuesve: Mos gjuani mjete piroteknike drejt policisë

    Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve të mbledhur në shesh që të mos hedhin mjete piroteknike apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të Policisë së Kosovës.

    Duke iu drejtuar turmës, Haziri ka thënë se së shpejti do të vendosen tendat, ndërsa protestuesit do të qëndrojnë në shesh deri në votimin e Ligjit për Specialen, transmeton Klankosova.tv.

    “Ju lus edhe një herë, mos gjuani as mjete piroteknike, asgjë në drejtim të policisë. Policia është e jona dhe është me ne, nuk është e nënshtruar ndaj pushtetit. Mos gjuani asgjë. Tash do t’i vendosim tendat dhe do të presim derisa të votohet ky ligj”, tha Haziri.

    Ai u bëri thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës./Klankosova.tv