Blog

  • Rënie drastike për Viniciusin, vlera e tij në treg pëson një ulje tejet të madhe

    Rënie drastike për Viniciusin, vlera e tij në treg pëson një ulje tejet të madhe

    Vinicius Junior po përjeton një rënie të ndjeshme në vlerën e tij të tregut, teksa përditësimi i fundit i Transfermarkt e ka zbritur brazilianin e Real Madridit në 130 milionë euro.

    26-vjeçari ka humbur edhe 10 milionë euro në vlerësimin e fundit, ndërsa në total ka pësuar një rënie prej 70 milionë eurosh krahasuar me vitin 2024, kur vlera e tij kishte arritur në 200 milionë euro.

    Kjo rënie përkon edhe me një fillim jo të mirë të sezonit për Viniciusin. Braziliani ka shënuar vetëm një gol në tetë ndeshje, statistika që përbëjnë startin e tij më të dobët përpara portës që nga sezoni i parë në Spanjë, 2018/19.

    Në fund të vitit 2024, Transfermarkt e kishte vlerësuar Viniciusin me 200 milionë euro, vlerë me të cilën ai ishte barazuar me Erling Haaland si futbollisti me çmimin më të lartë në treg.

    Dy vite më vonë, vlera e tij ka zbritur në 130 milionë euro, pra 70 milionë më pak ose një rënie prej 35 për qind nga maksimumi i arritur. Megjithatë, ylli i Real Madridit vazhdon të jetë pjesë e dhjetë futbollistëve me vlerën më të lartë në botë.

    Në përditësimin e qershorit të vitit 2026, Vinicius vlerësohej me 140 milionë euro, ndërsa tani ka pësuar një tjetër ulje prej 10 milionë eurosh.

    Edhe statistikat e tij këtë sezon kanë ndikuar në këtë zhvillim. Vinicius ka realizuar vetëm një gol në tetë paraqitje dhe shënon mesatarisht një herë në 652 minuta, një shifër që pasqyron edhe vështirësitë e tij të fundit para portës./Telegrafi/

  • Abdixhiku: Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart, na keni ngatërruar me mercenarët

    Abdixhiku: Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart, na keni ngatërruar me mercenarët

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton e ka të qartë orientimin e saj politik, duke e lidhur atë me vizionin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një reagim, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja e sheh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si pjesë të historisë së saj dhe ka kundërshtuar, siç u shpreh, përvetësimin e kësaj historie nga të tjerët.

    “Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën”, ka shkruar Abdixhiku.

    “UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, ka shtuar ai.

    Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për shkak të, siç i quajti, etiketimit apo kërcënimeve.

    “Kemi rrënjë të forta. Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin. Na keni ngatërruar me mercenarët”, ka deklaruar ai.

    Kreu i LDK-së ka theksuar se përgjegjësinë e saj e sheh ndaj Kosovës dhe qytetarëve, ndërsa ka thënë se partia forcohet përballë shantazhit.

    “LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj. Atyre që janë dhe të tjerëve që s’janë që të jemi ne. Përballë tyre kemi përgjegjësi. Përballë shantazhit veç forcohemi”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka pretenduar se po të ishte ndjekur vizioni i LDK-së, Kosova sot do të kishte president dhe, sipas tij, stabilitet balancues, si dhe angazhim institucional për mbrojtjen ndërkombëtare të së vërtetës së luftës në Kosovë.

    “Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë”, ka thënë ai.

    Sipas Abdixhikut, ky vizion “u luftua me çdo mjet”, ndërsa gjendjen aktuale institucionale e ka përshkruar si mungesë institucionesh, mundësie për mbrojtje dhe kohezioni politik.

    “Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend. Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/

  • Hamza kërkon votimin e Ligjit për Specialen: Krerët janë të pafajshëm, është goditur Kosova! (VIDEO)

    Hamza kërkon votimin e Ligjit për Specialen: Krerët janë të pafajshëm, është goditur Kosova! (VIDEO)

    Hamza kërkon votimin e Ligjit për Specialen: Krerët janë të pafajshëm, është goditur Kosova! (VIDEO)

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar për media pas përfundimit të takimeve me përfaqësues e deputetë të partisë së tij.

    Para gazetarëve, Hamza tha se Projektligji për Specialen duhet të kalojë sot në lexim të dytë, pasi sipas tij, nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë, transmeton Klankosova.tv.

    “Është qëndrim i përbashkët, është kërkesë që të thirret seanca dhe ligji të kalojë në lexim të dytë. Nuk ka asnjë arsye ligjore, dhe as politike, dhe pse të ketë politike, kur ligji kaloi në lexim të parë, e tash të ketë në lexim të dytë?. Ne nuk jemi kundër drejtësi, por jemi për drejtësi të bazuar në fakte dhe prova. Ata janë njerëz të pafajshëm, dhe Kosova po rrezikon. Pyetja e radhës është çka për Kosovën? Kjo është goditje për Kosovën dhe popullin e Kosovës”, u shpreh Hamza, raporton Klan Kosova.

  • Lumir Abdixhiku: UÇK-ja është edhe gjaku ynë

    Lumir Abdixhiku: UÇK-ja është edhe gjaku ynë

    Lumir Abdixhiku: UÇK-ja është edhe gjaku ynë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një deklaratë të fortë politike, duke theksuar se LDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në rrugën e Ibrahim Rugovës dhe në mbështetje të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

    Abdixhiku ka deklaruar se të jesh pjesë e LDK-së do të thotë të ruash identitetin politik dhe të mos tërhiqesh përballë presioneve, etiketimeve apo kërcënimeve.

    “Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai është shprehur gjithashtu se UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e lidhjes së vendit me SHBA-në dhe NATO-n, transmeton Klankosova.tv.

    “UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, ka deklaruar ai.

    Kreu i LDK-së ka kritikuar gjithashtu zhvillimet e fundit politike në vend, duke pretenduar se Kosova sot përballet me mungesë institucionesh dhe kohezioni politik.

    “Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka ngritur edhe një pyetje politike lidhur me përgjegjësinë për situatën aktuale në vend: “Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”

  • Aksident i rëndë në punë: Humb jetën i moshuari shqiptar, e zunë materialet e rënda

    Aksident i rëndë në punë: Humb jetën i moshuari shqiptar, e zunë materialet e rënda

    Aksident i rëndë në punë: Humb jetën i moshuari shqiptar, e zunë materialet e rënda

    73-vjeçari Ylli Shakaj ka humbur jetën pas një incidenti të rëndë të ndodhur në ambientet e një biznesi hidrosanitar në Vlorë.

    Mësohet se Shakaj, pronar i këtij aktiviteti, ishte duke shkarkuar një kamion me panele të ndryshme, kur për shkaqe ende të paqarta, panelet janë rrëzuar dhe e kanë zënë poshtë.

    Top Channel raporton se në vendngjarje pritet mbërritja e ekspertizës së Policisë, ndërsa vijojnë ndërhyrjet për nxjerrjen e trupit të 73-vjeçarit, i cili ndodhet ende nën materiale.

    Policia ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Rama reagon pas protestës: Mos e urdhëroni policinë kundër popullit

    Rama reagon pas protestës: Mos e urdhëroni policinë kundër popullit

    Rama reagon pas protestës: Mos e urdhëroni policinë kundër popullit

    Rama reagon pas protestës: “Mos e urdhëroni policinë kundër popullit”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pamjeve të shfaqura gjatë protestës së mbrëmshme në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

    Rama ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës, duke thënë se protestuesit ishin veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të Kosovës që, sipas tij, kërkonin drejtësi.

    “Sheshi është i njëjti. Qytetarët po ashtu. Vetëm juve ju ka shpërfaq pushteti”.

    Ai ka thënë se pamjet e protestuesve duke u trajtuar në QKUK janë të dhimbshme dhe se ato, sipas tij, kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi.

    “Pamjet duke i rrahur në shesh e duke u mjekuar në QKUK janë të dhimbshme. Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!”.

    Rama ka theksuar se institucionet duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën për protestë, ndërsa përgjegjësia për raste individuale, sipas tij, nuk duhet të përdoret për të delegjitimuar një protestë të tërë, transmeton Klankosova.tv.

    “Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë. Albin Kurti dikur mbajke ligjërata për xhipat e zinj dhe bërtiste: ‘Pse po frikësoheni nga populli?’. Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!”.

    Rama ka përsëritur se sheshet u takojnë qytetarëve dhe i ka bërë thirrje institucioneve që të mos përdorin Policinë si përgjigje ndaj pakënaqësisë qytetare.

    “Mos e ktheni policinë në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik. Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!”/Klankosova.tv

  • Haziri s’përmbahet: Dje u zbulua fytyra e pushtetit, turp i dheut trajtimi ndaj veteranëve

    Haziri s’përmbahet: Dje u zbulua fytyra e pushtetit, turp i dheut trajtimi ndaj veteranëve

    Haziri s’përmbahet: Dje u zbulua fytyra e pushtetit, turp i dheut trajtimi ndaj veteranëve

    Organizatori i protestës ‘Jo në emrin tim!’, Çlirim Haziri në fjalën e tij, deklaroi se gjatë protestës së djeshme, sipas tij, ra perdja e fundit të fytyrës së pushtetit në vend.

    Ai tha se turpi më i madh i ditës së hënë, sipas tij, ishte rrahja e pamëshirshme e veteranëve të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.

    “Motra e vëllezër, qytetarë të lënduar por të pathyeshëm, qytetarë të qëndresës. Dita e djeshme zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Dje ra edhe perdja e fundit, rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarre në shenjë proteste, por përgjigjen që e mori nga shteti ynë ishte shkopi i hekurt i pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveçlës, dje u gjakosën sheshet e Prishtinës, u rrahën qytetarët e u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, turpi më i rëndë që ka parë ndonjëherë faqja e dheut, u rrahën pamëshirshëm veteranët e UÇK-së”, tha ai.

  • Aramco paralajmëron: Rezervat globale të naftës janë të ulëta, duhen deri në dy vjet për t’u rikthyer

    Aramco paralajmëron: Rezervat globale të naftës janë të ulëta, duhen deri në dy vjet për t’u rikthyer

    Rezervat globale të naftës kanë rënë në nivele alarmante dhe mund të duhen deri në dy vjet për t’u rikthyer, edhe nëse qarkullimi përmes ngushticës së Hormuzit normalizohet plotësisht, ka paralajmëruar Amin Nasser, drejtori ekzekutiv i Saudi Aramco-s.

    Duke folur të hënën në Forumin e Inteligjencës së Energjisë në Londër, Nasser tha se sistemi global i furnizimit me naftë po i afrohet kufijve të tij, pas muajsh ndërprerjesh të shkaktuara nga lufta në Iran dhe mbyllja pothuajse e plotë e ngushticës së Hormuzit.

    Hormuzi është një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë, ndërsa ndërprerja e flukseve përmes tij ka goditur furnizimet dhe ka rritur presionin mbi tregjet e naftës dhe karburanteve, transmeton Telegrafi.

    “Jastëku i qëndrueshmërisë së furnizimit është alarmantësisht i vogël”, tha Nasser, duke paralajmëruar se rezervat e emergjencës mund t’i japin tregut kohë për të kaluar një dimër, por nuk mund të zgjidhin problemet afatgjata të ofertës dhe kërkesës.

    Sipas tij, bota hyri në krizë me rreth 10 miliardë fuçi naftë në rezerva globale. Që atëherë, janë humbur gati 3 miliardë fuçi furnizim, ndërsa më shumë se 1 miliard fuçi janë tërhequr nga rezervat për të kompensuar mungesën.

    Nasser theksoi se shifra totale e rezervave mund të jetë mashtruese, pasi një pjesë e madhe e tyre nuk është realisht e disponueshme për tregun. Sipas vlerësimeve të tij, kanë mbetur më pak se 6 miliardë fuçi rezerva komerciale, ndërsa pjesa më e madhe e këtij vëllimi nuk mund të përdoret praktikisht në mënyrë të menjëhershme.

    Kjo e bën edhe më të rëndësishëm vendimin e vendeve të G7 për të nxjerrë në treg 100 milionë fuçi naftë bruto dhe naftë dizel nga rezervat emergjente. Masa synon të lehtësojë presionin mbi furnizimet globale, por Nasser paralajmëroi se ajo është vetëm një zgjidhje afatshkurtër.

    “Rezervat emergjente mund të na blejnë një dimër. Ato nuk mund ta rregullojnë furnizimin afatgjatë”, tha ai.

    Edhe nëse ngushtica e Hormuzit rihapet plotësisht, sipas Nasserit, do të duhet kohë për të rindërtuar rezervat ndërsa njëkohësisht duhet të plotësohet kërkesa e vazhdueshme globale për naftë. Për këtë arsye, procesi mund të zgjasë deri në dy vjet.

    Megjithatë, disa nga eksportet e naftës nga Gjiri i Lindjes së Mesme kanë nisur të rikuperohen. Sipas të dhënave të kompanisë së gjurmimit detar Kpler, eksportet e naftës bruto nga rajoni, duke përjashtuar Iranin, u rikthyen në shtator në nivele të ngjashme me mesataren para luftës.

    Një faktor i rëndësishëm ka qenë përdorimi i rrugëve alternative. Një pjesë më e madhe e eksporteve po shmang tani Hormuzin përmes tubacioneve dhe korridoreve të tjera, veçanërisht atyre në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Nasser tha se Aramco po përpiqet gjithashtu të reduktojë varësinë nga një kanal i vetëm transporti, duke kërkuar rrugë të reja për eksportin e naftës dhe kapacitete shtesë magazinimi jashtë vendit.

    Paralajmërimi i kreut të Aramco-s vjen ndërsa edhe drejtues të tjerë të industrisë së energjisë kanë paralajmëruar për dobësimin e rezervave globale dhe presionin në rritje mbi tregjet e naftës dhe karburanteve.

  • Jashari: Sheshet janë të mbushura me “Jo në emrin tim”, institucionet të marrin vendimin e duhur

    Jashari: Sheshet janë të mbushura me “Jo në emrin tim”, institucionet të marrin vendimin e duhur

    Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për bashkim dhe unifikim, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin, siç tha ai, vendimin e duhur lidhur me Gjykatën Speciale.

    Jashari tha se kërkesa e tyre ka qenë për bashkim dhe unifikim, ndërsa theksoi se sheshet janë mbushur me mbishkrimin “Jo në emrin tim”.

    “Që nga vendimi fillestar, sheshet janë të mbushura me ‘Jo në emrin tim’. Kërkesa jonë ka qenë thirrje për bashkim e unifikim dhe në të drejtën tonë. Institucionet e vendit duhet ta marrin vendimin e duhur”, tha Jashari, raporton Telegrafi.

    Ai kërkoi që Kuvendi të procedojë dhe të miratojë një ligj që, sipas tij, do ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, të cilën e akuzoi se ka goditur krerët e UÇK-së me, siç u shpreh, “akuza të pabëra”.

    “Sot të sillet ligji e të kalojë edhe në leximin e dytë me një që e shfuqizon Gjykatën Speciale, e cila i goditi krerët e UÇK-së me akuza të pabëra. Këtë gjykatë që goditi mbi historinë e kombit shqiptar e mbi të gjitha në shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

    Jashari iu drejtua edhe Policisë së Kosovës, duke kërkuar nga zyrtarët që kanë dhënë urdhra të kenë kujdes, ndërsa tha se ka informacione për persona të lënduar dhe veteranë që, sipas tij, ndodhen në stacione policore.

    “I bëj thirrje policisë dhe atyre që dhanë urdhra, pasi kemi informacione që kemi të lënduar në numër të madh dhe kemi informacione që kemi veteranë që janë nëpër stacione policore. Policia është e jona dhe të gjithë ne që jemi këtu e respektojmë, në kulminacion uniformën”, deklaroi Jashari. /Telegrafi/

  • PDK kërkon seancë urgjente për miratimin e Ligjit për Specialen

    PDK kërkon seancë urgjente për miratimin e Ligjit për Specialen

    Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Kryetares së Kuvendit që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit që mbron UÇK-në, çlirimtarët dhe historinë tonë.

    PDK thekson se institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë.

    “Ky moment kërkon vendimmarrje në interes të shtetit dhe përmbushje të detyrimeve ndaj përpjekjeve të popullit tonë për liri.

    PDK e ka iniciuar këtë ligj pas takimeve dhe konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, me bindjen se mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore. Ky ligj është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit.

    Për PDK-në, prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

    PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e këtij ligji.

    “Pengesë nuk paraqet as opinioni i vetë Qeverisë. Nuk ka as arsye politike që ky proces të mbetet i papërfunduar: nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë.

    Kjo kauzë kombëtare nuk duhet të shndërrohet në pazar politik apo të përdoret për kushtëzime partiake. Mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve kërkon dinjitet, përgjegjësi dhe vendimmarrje.

    Gjithashtu, PDK dënon ashpër dhunën joproporcionale të ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve. Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm”, thuhet më tej.

    “PDK kërkon nga Qeveria, Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndalin menjëherë veprimet e tyre jashtë rolit dhe kompetencave të tyre kushtetuese e ligjore dhe të mos e nxisin apo përdorin Policinë për ta shtypur me dhunë protestën dhe kërkesën e drejtë të qytetarëve. Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë përdorimin e forcës joproporcionale që mbrëmë ka lënë të lënduar shumë qytetarë.

    PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare”, thuhet më tej.

    Kjo parti thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës të gjitha rastet e evidentuara të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve. /Telegrafi/