Pagesa e taksës rrugore në Maqedoni hyn në epokën digjitale, sistemi i ri “Free-Flow” pritet të nisë nga viti i ardhshëm

Pagesa e taksës rrugore në Maqedoni hyn në epokën digjitale, sistemi i ri “Free-Flow” pritet të nisë nga viti i ardhshëm

Written by

in

Për herë të parë nga viti i ardhshëm pritet të nisë zbatimi modelit të ri, modern dhe digjital të pagesës së tarifës rrugore. Sistemi i njohur si “Free-Flow” do t’u mundësojë automjeteve të kalojnë pa u ndalur në pikat e pagesës, përmes identifikimit të targave nga kamerat dhe pajisjeve elektronike TAG.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, për TVM2, tha se ndërmarrja që ai drejton po punon intensivisht për zbatimin e standardeve moderne digjitale evropiane në sistemin e pagesës së tarifës rrugore. Në fazën fillestare, tha ai, parashihet që sistemi të zbatohet si projekt pilot për automjetet e rënda, përkatësisht kamionët. Për këtë qëllim, NP “Rrugët Shtetërore” planifikon të vendosë kamera të specializuara përgjatë rrugëve, të ngjashme me ato që përdoren në sistemin “Qyteti i Sigurt”. Përmes tyre do të bëhet identifikimi i automjeteve dhe regjistrimi i kalimit të tyre, mbi bazën e të cilit do të llogaritet tarifa rrugore, pa pasur nevojë që drejtuesit të ndalen fizikisht në pikat e pagesës.

“Fillimisht ky sistem do të jetë i dedikuar për kamionët dhe jo për automjetet e lehta, pasi në këtë mënyrë do të parandalohet shmangia e pagesës së tarifës rrugore. Si shembull më karakteristike do të marr pikën e pagesës në Petrovec. Para kësaj pike, përkatësisht në afërsi të Idrizovës, shumë automjete dalin nga autostrada dhe vazhdojnë nëpër rrugën rajonale, përmes Petrovecit dhe Rzhaniçinos, deri në Katllanovë, ku sërish kyçen në rrugë. Në këtë mënyrë, ato e shmangin pagesën e tarifës rrugore, e dëmtojnë rrugën, e cila nuk është e paraparë për automjete të rënda dhe kamionë, si dhe rrezikojnë seriozisht sigurinë e banorëve të asaj zone. Prandaj, me këtë projekt synojmë t’i parandalojmë këto dukuri dhe, njëkohësisht, t’i detyrojmë transportuesit të paguajnë tarifën rrugore. Përveç kësaj, në Milladinov, ku aktualisht nuk ka sistem TAG, do të shohim që paralelisht të vendosim edhe sistemin “Free-Flow”.”, deklaroi drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski.

Modeli i ri i pagesës së tarifës rrugore, përmes regjistrimit të pajisjeve TAG dhe identifikimit të targave nga kamerat, fillimisht planifikohet të zbatohet në rrugët e reja shtetërore që do të lëshohen në përdorim. Në një fazë të mëvonshme, parashihet që sistemi të shtrihet edhe në Korridorin 10 dhe drejt Tetovës. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ky ndryshim do t’u kushtojë më shumë apo më pak qytetarëve.

“Po, këtë do ta shohim në vijim. E rëndësishme është që të mos ketë pagesë të tarifës rrugore si deri më tani. Fillimisht ky sistem i ri planifikohet të zbatohet në rrugët e reja që po ndërtojmë, ku aktualisht nuk ka pagesë të tarifës rrugore. Më pas në fazën e ardhshme, do të përfshihet edhe Korridori 10, ku aktualisht paguhet tarifa rrugore si dhe drejt Tetovës, por kur do të ndodhë kjo, pas një ose dy vitesh, nuk mund t’ju them. Për momentin nuk mund të flasim nëse sistemi do të jetë më i lirë apo më i shtrenjtë.”, theksoi drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski.

Një model i tillë i pagesës së tarifës rrugore tashmë po testohet pjesërisht në Serbi, ndërsa Kroacia ka avancuar më shumë me zbatimin e tij.