Një tifoz sllovak i Real Madridit pretendon se ai dhe djali i tij u nxorën nga tribunat e ‘Camp Nou’ pasi festuan golin e Kylian Mbappes në El Clasico, ku madrilenët fituan me rezultat 2-1 ndaj Barcelonës.
Frantisek Vavrek kishte udhëtuar drejt Barcelonës për t’i dhuruar djalit të tij, Denis, një përvojë të veçantë për ditëlindjen e 18-të. Por ajo që duhej të ishte një kujtim i paharrueshëm, sipas tij, përfundoi me zhgënjim, pasi babë e bir u detyruan ta ndiqnin pjesën e mbetur të ndeshjes në telefonat e tyre celularë, brenda një taksie.
Në një rrëfim për gazetën spanjolle Marca, Vavrek tregoi se kishte udhëtuar nga Presovi i Sllovakisë, rreth 300 kilometra deri në Budapest, për të marrë më pas fluturimin drejt Barcelonës. Me ta ishin edhe miqtë e familjes nga Kroacia, Krunoslav Pipinic dhe djali i tij, Kresimir, i cili gjithashtu kishte mbushur 18 vjeç pak ditë para ndeshjes.
Vavrek kishte paguar gjithsej 5,600 euro për katër bileta të kategorisë së parë, me çmim prej 1,400 eurosh për secilën. Vendet e tyre ndodheshin në sektorin 113, mes tifozëve të Barcelonës.
Problemet nisën për shkak të fanellave të Real Madridit
Sipas rrëfimit të tifozit sllovak, problemet nisën që në hyrje të stadiumit, kur sigurimi nuk i lejoi të hynin me fanellat e Real Madridit dhe, siç pretendon ai, u sugjeroi t’i hidhnin në koshin e mbeturinave.
Babë e bir refuzuan ta bënin këtë, i mblodhën fanellat për të kaluar kontrollin dhe i veshën pasi u ulën në vendet e tyre, rreth 20 minuta para fillimit të ndeshjes.
Vavrek pretendon se i kishin mbajtur fanellat veshur për afërsisht një orë para se të ndërhynte sigurimi. Ai mohon se kishte tentuar të provokonte qëllimisht tifozët vendas.
Festuan golin e Mbappes dhe u nxorën nga tribunat
Sipas tij, incidenti ndodhi pasi Kylian Mbappe shënoi golin e parë të Real Madridit, rreth minutës së 40-të. Vavrek dhe djali i tij u ngritën në këmbë, u përqafuan dhe festuan golin, por pak çaste më vonë, rreth një duzinë pjesëtarësh të sigurimit iu afruan dhe i larguan nga tribunat.
“Ne nuk kryem asnjë akt dhune, nuk kërcënuam askënd dhe as nuk nxitëm dhunë. Thjesht festuam golin duke u ngritur në këmbë dhe duke përqafuar njëri-tjetrin”, deklaroi Vavrek për Marca.
Ai pretendon se gjatë largimit nga tribunat, disa spektatorë i fyen dhe i fishkëllyen, por ai dhe djali i tij nuk u kundërpërgjigjën.
Fillimisht, atyre iu tha se mund të ktheheshin në vendet e tyre nëse i hiqnin fanellat e Real Madridit. Megjithatë, sipas Vavrekut, pasi sigurimi komunikoi me eprorët, kjo mundësi u anulua.
“Na thanë se shumë tifozë të Barcelonës na kishin njohur tashmë dhe se nuk mund të garantonin sigurinë tonë. Kishin frikë se mund të na sulmonin nëse ktheheshim në të njëjtat vende”, rrëfeu ai.
Policia i ndaloi për 45 minuta, ndeshjen e përfunduan duke e parë në taksi
Pas largimit nga stadiumi, në rast ndërhyri edhe policia, e cila kontrolloi dokumentet e tyre dhe hartoi raporte për incidentin.
Sipas përshkrimit të Vavrekut, në raporte përmendeshin shfaqja e fanellave dhe provokimi i tifozëve të Barcelonës, ndërsa sjellja e tyre cilësohej si e dhunshme ose si nxitje për dhunë. Tifozi sllovak i kundërshton këto pretendime dhe kërkon që rasti të shqyrtohet përmes pamjeve filmike dhe dëshmive të personave të pranishëm.
Kontrollet, sipas tij, zgjatën rreth 45 minuta. Gjatë kësaj kohe, ai e ndoqi ndeshjen në telefon, ndërsa më pas, së bashku me të birin, mori një taksi drejt apartamentit ku po qëndronin. Kështu, pjesën e mbetur të El Clasicos e panë përmes ekranit të celularit, pavarësisht se kishin paguar mijëra euro për ta përjetuar ndeshjen nga stadiumi.
“I premtova djalit tim se nuk do ta harronte El Clasicon e parë. E mbajta premtimin tim”, tha Vavrek me ironi, duke iu referuar përvojës që, sipas tij, do të mbetet gjatë në kujtesën e të birit.
Vavrek pretendon se kërkoi rimbursimin e parave, por iu udhëzua të paraqiste një ankesë zyrtare te Barcelona. Ai pranoi se deri në momentin kur foli për Marca nuk e kishte dorëzuar ende ankesën me shkrim dhe nuk kishte marrë asnjë rimbursim.
“Nuk dua të nxis urrejtje mes tifozëve të Realit dhe Barcelonës. Nuk po kërkoj bileta falas apo trajtim të veçantë”, përfundoi ai./Telegrafi/