Pamjet e kamerave ndryshojnë rrjedhën e rastit mes Edonisa Aliut dhe Liridon Lecit, Prokuroria nis hetimet për dy vepra penale

Written by

in

Rasti i përplasjes mes ish-futbollistes Edonisa Aliu dhe trajnerit Liridon Leci, pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, ka marrë një zhvillim të ri.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se pamjet e kamerave të sigurisë paraqesin një version tjetër të incidentit nga ai që Aliu kishte dhënë fillimisht para hetuesve.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka deklaruar se në regjistrimet e siguruara më 12 tetor shihet se ish-futbollistja, sipas dyshimeve të ngritura, e kishte kapur Lecin për fyti dhe e kishte goditur në fytyrë.

“Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat shihet se personi me inicialet E.A., duke tensionuar situatën, e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë personin me inicialet L.L.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Si rezultat i këtyre gjetjeve, Prokuroria ka iniciuar rast për dy vepra penale: “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Deklarim i rremë”.

Fillimisht, Aliu ishte intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, duke deklaruar se Leci e kishte fyer dhe e kishte kapur për fyti gjatë përplasjes. Ajo kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore në Obiliq, por sipas Prokurorisë, raporti mjekësor nuk kishte evidentuar shenja apo gërvishtje të dukshme në trupin e saj.

Ndërkohë, Leci kishte mohuar publikisht akuzat për ushtrim të dhunës fizike ndaj ish-futbollistes.

Incidenti kishte ndikuar edhe në bashkëpunimin e tij me RTV Dukagjinin. Drejtori i informacionit në këtë televizion, Dibran Istrefi, kishte njoftuar se mediumi kishte vendosur ta ndërpriste bashkëpunimin me trajnerin. Leci, nga ana tjetër, kishte pretenduar se vendimin për largim e kishte marrë vetë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pamjet e kamerave ndryshojnë rrjedhën e rastit mes Edonisa Aliut dhe Liridon Lecit, Prokuroria nis hetimet për dy vepra penale appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali