Autori dhe moderatori i emisionit Debat Plus në TV Dukagjini, Ermal Panduri, ka bërë të ditur se një biznesmene ka marrë përsipër të sigurojë shlyerjen e kredisë së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Gjatë Debat Plus-it, Panduri ka njoftuar se një biznesmene, emrin e së cilës nuk ka dashur ta bëjë publik, ka vendosur të ndërhyjë për të siguruar shlyerjen e borxhit të së ndjerës.
“Një biznesmene grua shumë e suksesshme. Nuk ka dashur të publikoj emrin, as ta bëj publike. Por, duke pasur parasysh që e kam bërë publik këtë informacion, më takon të jem transparent që kjo kredi tashmë është siguruar që do të shlyhet nga kjo biznesmene”, ka deklaruar Panduri.
Më herët, përmes një postimi në Facebook, Panduri kishte kërkuar që shteti të ndërhynte për t’ia paguar kredinë Zekajt, duke bërë të ditur se garantuesi i saj, një i afërm, po përballej me presion nga banka për shlyerjen e borxhit.
“Borxhin a mundet me ia ‘falë’ ky shtet, masi jetën s’ia doli dot me ia falë?”, kishte shkruar Panduri.
Burimi: Dukagjini
