Papa Leo voton me postë në zgjedhjet në SHBA, rast historik për Vatikanin

Papa Leo voton me postë në zgjedhjet në SHBA, rast historik për Vatikanin

Written by

in

Papa Leo XIV ka votuar përmes postës në zgjedhjet afatmesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një rast historik për një udhëheqës të Kishës Katolike të lindur në SHBA.

Lajmi është konfirmuar të premten nga zyra e shtypit e Vatikanit, e cila ka bërë të ditur se Papa e ka dërguar votën e tij nga Çikago, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

“Në përputhje me këtë praktikë të kahershme të pjesëmarrjes qytetare, ai ka dorëzuar fletëvotimin e tij me postë në Çikago. Ati i Shenjtë shpreh bindjen e tij për të drejtën dhe detyrën e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, thuhet në njoftimin e Vatikanit.

Vatikani nuk ka bërë të ditur se për cilët kandidatë ka votuar Papa.

Leo XIV, 71 vjeç, ka lindur në Çikago dhe është Papa i parë me origjinë amerikane. Sipas gazetës “Chicago Sun-Times”, ai është regjistruar për të votuar në shtetin e Illinoisit me emrin e tij të lindjes, Robert Francis Prevost, ndërsa më 3 tetor kishte kërkuar fletëvotimin përmes postës.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, votuesit në Illinois do të zgjedhin pasardhësin e senatorit Dick Durbin, i cili po largohet nga detyra, si dhe do të vendosin nëse do t’ia japin edhe një mandat guvernatorit JB Pritzker.

Papa Leo XIV ka pasur disa përplasje publike me presidentin amerikan, Donald Trump, veçanërisht lidhur me luftën në Iran, çështjen e emigrantëve dhe nismat e administratës amerikane.

Në mars, Papa deklaroi se Zoti i refuzon lutjet e atyre që nisin luftëra dhe i kanë “duart plot gjak”.

Ndërkaq, në prill, ai e cilësoi të papranueshëm kërcënimin e Trumpit për shkatërrimin e qytetërimit iranian.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për një reflektim të thellë mbi mënyrën se si trajtohen emigrantët në SHBA.

Leo XIV u zgjodh në krye të Kishës Katolike, e cila numëron rreth 1.4 miliardë besimtarë, në maj të vitit 2025.

Burimi: Dukagjini