
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është arritur marrëveshje me Sindikatën dhe se puna e punëtorëve teknikë në shkolla pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Sipas një njoftimi nga Kryeqyteti, veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë dhe se pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.
“Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme.”, është thënë në njoftim.
Njoftimi ka ardhur pasi në dy shkolla në Prishtinë, “Ismail Qemali” dhe “Mehmet Gjevori”, u paralajmërua bojkoti i mësimit të premten shkaku i papastërtisë.
Punëtorët teknikë kanë hyrë në grevë në mesin e tetorit për shkak të mosdhënies së pagave dhe vonesave në ekzekutimin e tyre. /Klankosova.tv