Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka konfirmuar se pezullimi i fluturimeve në nisje në të gjithë Shtetet e Bashkuara është shkaktuar nga një problem komunikimi që ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror në vend.
Sipas Duffy, problemi ka ndikuar në funksionimin e sistemit të komunikimit në nivel kombëtar, duke detyruar Administratën Federale të Aviacionit (FAA) të urdhërojë ndalimin e nisjes së avionëve për arsye sigurie.
Ai bëri të ditur se ekipet teknike janë duke hetuar problemin për të identifikuar shkakun e tij.
Më herët, FAA kishte njoftuar se të gjitha aeroportet amerikane duhej të pezullonin nisjet e avionëve deri në një njoftim të dytë, duke përmendur “rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie”.
Ndërkohë, fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të trajtohen rast pas rasti.
Ende nuk dihet se kur do të rikthehet funksionimi normal i trafikut ajror amerikan. /Telegrafi/