Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Ignacy Niemczycki, ka paralajmëruar se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është e pazbatueshme pa përfshirjen e Evropës.
Ai la të kuptohet gjithashtu se aleatët e Kievit po priren drejt një roli ushtarak më të fuqishëm për të garantuar zbatimin e çdo marrëveshjeje.
Në një prononcim për “Europe Today” – emisionin e mëngjesit të Euronews – Niemczycki theksoi se pjesëmarrja e Evropës në negociata është një domosdoshmëri praktike, e jo thjesht një çështje përfaqësimi diplomatik, përcjell Telegrafi.
“Asnjë lloj marrëveshjeje paqeje nuk është e realizueshme pa përfshirjen e Evropës”, tha ai. “Asgjë që lidhet me arkitekturën e sigurisë evropiane nuk duhet të vendoset pa ne”.
Deklaratat e Niemczyckit erdhën ndërsa “Koalicioni i të Vullnetshmëve” – grupi i vendeve që punojnë për garancitë e sigurisë për Ukrainën në periudhën e pasluftës – ishte mbledhur në Berlin.
Ai la të kuptohet se bisedimet e këtij koalicioni po shkojnë drejt një angazhimi ushtarak më konkret.
I pyetur mbi mundësinë e zbatimit me mjete ushtarake të një marrëveshjeje paqeje, ministri polak u shpreh se “diskutimet tona për këtë çështje po evoluojnë”, duke theksuar nevojën për të trajtuar natyrën e garancive të sigurisë në terma konkretë.
Komentet e tij sugjerojnë se aleatët evropianë të Ukrainës po përballen gjithnjë e më shumë me pyetjen se si të parandalojnë një agresion të ri rus pasi të arrihet një marrëveshje paqeje, në vend që thjesht të monitorojnë një armëpushim.
Sipas Niemczyckit, për Poloninë, rezultati i negociatave do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e saj kombëtare.
Nëse Rusia lejohet të afrohet më shumë me kufijtë e Polonisë, kjo do të rriste kostot e mbrojtjes së vendit; prandaj, Varshava ka një interes jetik në përcaktimin e kushteve të çdo marrëveshjeje. /Telegrafi/