Parlamenti i BE-së synon të përfshijë Zvicrën në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë

Parlamenti i BE-së synon të përfshijë Zvicrën në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë

Written by

in

Parlamenti Evropian ka miratuar një raport që kërkon krijimin e një rrjeti hekurudhor me shpejtësi të lartë në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe lidhjet me vendet fqinje të BE-së, si Zvicra, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Parlamenti Evropian ka votuar në favor të një rrjeti hekurudhor me shpejtësi të lartë që do të lidhë jo vetëm kryeqytetet evropiane, por edhe qytetet e mesme dhe rajonet periferike, raporton Watson.

Raporti u miratua të martën në Strasburg, me 558 vota pro, 23 kundër dhe 73 abstenime.

Eurodeputetët theksuan se zhvillimi i linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë deri më tani është përqendruar kryesisht në nivel kombëtar, ndërsa lidhjet ndërkufitare mbeten të pamjaftueshme.

Për këtë arsye, Parlamenti kërkon bashkëpunim më të ngushtë me vendet fqinje, veçanërisht me Zvicrën, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që rrjeti i ardhshëm hekurudhor evropian të jetë më i integruar, transmeton Telegrafi.

Raporti përbën përgjigjen e Parlamentit Evropian ndaj planit të Komisionit Evropian për zgjerimin e transportit hekurudhor me shpejtësi të lartë në kontinent.

Në nëntor të vitit 2025, Komisioni Evropian prezantoi synimin që deri në vitin 2040 qytetet kryesore evropiane të lidhen përmes trenave që udhëtojnë me shpejtësi prej të paktën 250 kilometrash në orë.

Nisma synon të përmirësojë lidhjet ndërmjet vendeve evropiane dhe të krijojë një rrjet më të koordinuar të transportit hekurudhor, duke kapërcyer boshllëqet ekzistuese në linjat ndërkufitare./Telegrafi/