SHFMU “Ganimete Tërbeshi” në Llukar të Prishtinës ka njoftuar se është zgjidhur problemi dhjetëvjeçar me kabllot elektrike në objektin e paraleles në Siqevë, të cilat shkaktonin ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe defekte të vazhdueshme.
Sipas njoftimit të shkollës, ndërhyrja është realizuar pas kërkesës së drejtoreshës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca dhe KEDS-in.
Gjatë punimeve janë prerë drunjtë që rrezikonin kabllot elektrike, janë shtuar kabllo të reja dhe është përmirësuar furnizimi me energji elektrike.
Nga shkolla kanë bërë të ditur se ky intervenim është i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
“Synimi ynë është që procesi mësimor të zhvillohet pa pengesa dhe sipas planifikimit, në një ambient të sigurt dhe me kushte sa më të mira për nxënësit dhe stafin e shkollës”, thuhet në njoftim.
Shkolla ka falënderuar Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca dhe KEDS-in për bashkëpunimin dhe mbështetjen në zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm, duke theksuar se ndërhyrja krijon kushte më të mira për sezonin dimëror. /Telegrafi/