
Largimi i talenteve nga grupmoshat e reja të Zvicrës duket se nuk ka të ndalur.
Derisa pak më parë, 20-vjeçari Lutfi Dalipi njoftoi se nuk do të përfaqësojë Zvicrën ndërkombëtarisht, duket se rrugës së tij po shkon edhe një tjetër shqiptaro-zviceran – Samuel Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Dy mesfushorët, përkatësisht te Vaduz dhe Grasshoppers, duket se janë pranë zgjedhjes për të përfaqësuar Kosovën ose Shqipërinë.
Dalipi, i cili këtë sezon ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime në 12 ndeshje të Superligës së Zvicrës me Vaduzin, tashmë ka bërë të ditur se nuk dëshiron ta pranojë ftesën e përzgjedhësit të Zvicrës, Murat Yakin. Në vend të saj, ai është në pritje të një ftese nga Kosova ose Shqipëria.
Ndërkaq, Krasniqi, i cili në 12 paraqitje me Grasshoppers ka realizuar dy gola dhe dy asistime, nuk duket se është treguar indiferent ndaj interesimit të përzgjedhësit të Shqipërisë, Rolando Maran, ka raportuar media zvicerane në italisht, “tio.ch”.
Ky i fundit udhëtoi fundjavën e kaluar drejt Cyrihut për t’u takuar me futbollistin, në një takim që nga shumëkush cilësohet si vendimtar për të ardhmen e tij ndërkombëtare. /Klankosova.tv