Pas humbjes së republikanëve, ankohet miliarderi: Jam seriozisht i shqetësuar për drejtimin që po merr Amerika

Pas humbjes së republikanëve, ankohet miliarderi: Jam seriozisht i shqetësuar për drejtimin që po merr Amerika

Written by

in

Republikani Vivek Ramaswamy ka shprehur shqetësim për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara, pas humbjes në zgjedhjet për guvernator të Ohios ndaj kandidates demokrate Amy Acton.

Në fjalimin para mbështetësve, pas shpalljes së rezultateve, Ramaswamy pranoi se humbja ishte e vështirë, duke shprehur njëkohësisht shqetësimin për drejtimin politik dhe shoqëror të vendit.

“Jam seriozisht i shqetësuar për drejtimin në të cilin po lëviz vendi ynë. Kjo nuk mund të shmanget”, deklaroi ai në një tubim ku mbizotëronte atmosfera e zhgënjimit.

Megjithatë, republikani tha se beson se SHBA-ja do të arrijë t’i tejkalojë vështirësitë, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën.

“Vendi ynë gjatë historisë ka kaluar nëpër shumë periudha ngritjesh dhe rëniesh, por në fund gjithmonë kemi gjetur një rrugë për të ecur përpara”, shtoi ai.

Ramaswamy e uroi kundërshtaren për fitoren, duke bërë thirrje që banorët e Ohios ta mbështesin në detyrën e re.

Ai e cilësoi fushatën si të vështirë dhe herë pas here të ashpër nga të dyja palët, por shprehu shpresën se Acton do të arrijë ta bashkojë shtetin.

“Duhet të shpresojmë që administrata e saj të ketë sukses dhe që Ohajo të arrijë gjëra të mëdha, pavarësisht asaj që ndodhi sonte në zgjedhje”, tha republikani, duke zbuluar se e kishte telefonuar kandidaten demokrate për ta uruar.

Ndërkohë, fushata e Ramaswamy ishte shoqëruar edhe me polemika në ditët e fundit, pas publikimit të një reklame politike ku shfaqej nëna e Amy Acton, e cila e akuzonte të bijën se po gënjente.

Reklama nxiti kritika ndaj republikanit, veçanërisht për shkak të historisë familjare të kandidates demokrate. Nëna e saj kishte humbur kujdestarinë mbi të dhe vëllain e saj kur Acton ishte 12 vjeçe, ndërsa njerku i saj ishte përballur me akuza për abuzim seksual.

Ramaswamy u bë i njohur në nivel kombëtar gjatë garës për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, kur garoi kundër Donald Trumpit. Pas tërheqjes nga gara, ai mbështeti Trumpin.

Ndryshe, Vivek Ramaswamy ka një pasuri të vlerësuar neto prej 2.2 deri në 2.3 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të revistës Forbes për fundin e vitit 2026.

Miliarderi e ka krijuar pjesën më të madhe të pasurisë në industrinë e bioteknologjisë. /Telegrafi/

– YouTube www.youtube.com