Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kanë nisur punimet për sanimin e rrjetit të kanalizimit në Rrugën B, pas shqetësimeve të qytetarëve për rrjedhjet dhe erën e rëndë që është përhapur në këtë pjesë të kryeqytetit.
Përmes një postimi në Facebook, komuna ka bërë të ditur se ekipet e saj, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, janë duke punuar në terren për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e funksionimit të rrjetit.
“Kanë nisur punimet për sanimin e kanalizimit në rrugën B! Ekipet e Kryeqytetit, në bashkëpunim me KRU ‘Prishtina’, po punojnë në terren për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e funksionimit të rrjetit”, thuhet në njoftimin e komunës.
Problemi në këtë pjesë të Rrugës B kishte vazhduar për më shumë se një javë, ndërsa rrjedhjet e kanalizimit kishin shkaktuar erë të rëndë dhe shqetësim te qytetarët që frekuentojnë zonën.
Qytetarët kishin ngritur shqetësime edhe për përsëritjen e problemit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e tij.
Njoftimi i komunës vjen pas publikimit të raportimit për gjendjen në këtë pjesë të kryeqytetit. Megjithatë, komuna nuk ka bërë të ditur se kur pritet të përfundojnë punimet dhe nëse do të ndërmerren masa për të parandaluar përsëritjen e problemit. /Telegrafi/