Pas operacionit: 5 gabime që e ngadalësojnë shërimin

Pas operacionit: 5 gabime që e ngadalësojnë shërimin

Written by

in

Shumë njerëz mendojnë se pjesa e vështirë mbaron kur dalin nga salla e operacionit. Në fakt, pas protezës së gjurit, operacionit të shpinës apo të shpatullës, rezultati varet shumë edhe nga ajo që bëni në javët e muajt që pasojnë. Disa zakone që duken të arsyeshme e zgjasin shërimin pa nevojë

Blend Bytyqi, fizioterapist
Active Physiotherapy – Fizioterapi në Prishtinë
+383 48 570 220

Në klinikë na vijnë rregullisht pacientë që janë operuar para pak kohësh. Dikujt i është vendosur protezë e ijës, dikush është operuar nga hernia e diskut, dikujt tjetër i janë qepur tendinët e shpatullës. Operacionet dallojnë, por pyetjet janë shpesh të njëjta: sa duhet të pushoj, a guxoj ta lëviz, kur mund të kthehem në punë?

Përgjigjet varen nga ndërhyrja dhe nga kirurgu, por disa gabime i shohim pothuajse pas çdo operacioni ortopedik.

Fazat e trajtimit dhe mënyrën si ndërtohet plani javor në klinikë i gjeni të shpjeguara te faqja për rehabilitimin pas operacionit.

Gabimi i parë: shtrati “që të zihet mirë”

Pas operacionit, shpesh e gjithë familja kujdeset që i operuari të mos lëvizë fare. Qëllimi është i mirë, por pushimi i gjatë sjell probleme të veta: muskujt humbin forcë brenda pak ditësh, nyjet ngurtësohen dhe rritet rreziku që gjaku të mpikset në venat e këmbës.

Prandaj, sot, pas shumicës së operacioneve ortopedike, pacienti ngrihet dhe ecën me ndihmë që në ditën e operacionit ose të nesërmen. Udhëzimi britanik NICE për protezat e ijës, gjurit dhe shpatullës rekomandon që rehabilitimi të nisë brenda 24 orëve pas ndërhyrjes.

Pak pushim është i nevojshëm, por duhet ndërthurur me lëvizje:

• disa shëtitje të shkurtra gjatë ditës, me paterica nëse ju janë dhënë
• ushtrime të lehta për këmbët, në shtrat ose në karrige
• ndërrim i shpeshtë i pozicionit gjatë ditës

Gabimi i dytë: “e duroj dhimbjen pa ilaçe”

Disa pacientë i shmangin qetësuesit që ua ka përshkruar mjeku, sepse kanë frikë se do t’u dëmtojnë stomakun ose se do të mësohen me to. Si pasojë, dhimbja i pengon të ecin dhe të ushtrojnë, ndërsa javët e para, që janë më të rëndësishmet për lëvizjen e nyjës, kalojnë kot.

Qetësuesit pas operacionit nuk janë qëllim në vete. Ata merren që të mund të lëvizni. Merrini ashtu siç ju ka udhëzuar mjeku dhe, nëse ju shqetësojnë efektet anësore, flisni me të, në vend që t’i ndërprisni vetë. Akulli dhe mbajtja e këmbës lart ndihmojnë gjithashtu kundër dhimbjes dhe ënjtjes.

Gabimi i tretë: nxitimi sapo ndiheni mirë

E kundërta ndodh po aq shpesh. Pas dy-tri javësh, dhimbja ulet, njeriu ndihet mirë dhe vendos t’i lërë patericat, të ngrejë diçka të rëndë, të punojë në kopsht apo ta heqë ortezën e krahut para kohe.

Por, kur ndiheni mirë, kjo nuk do të thotë se indet janë shëruar. Tendinit të qepur të shpatullës i duhen disa javë që të forcohet. Pas protezës së ijës, disa lëvizje mund të jenë të ndaluara përkohësisht. Pas operacionit të shpinës, ngritja e peshave të rënda zakonisht shtyhet derisa ta lejojë kirurgu.

Rregulli është i thjeshtë: kufizimet që jua ka vënë kirurgu vlejnë derisa t’i heqë ai, jo derisa të ndiheni ju mirë.

Gabimi i katërt: ndërprerja e ushtrimeve sapo filloni të ecni

Shumë njerëz mendojnë se rehabilitimi ka mbaruar sapo ecin pa paterica. Por ecja është vetëm hapi i parë. Muskujt rreth nyjës së operuar shpesh mbeten me muaj më të dobët se ata të anës së shëndoshë, edhe pasi dhimbja ka ikur.

Kjo dobësi vërehet në punët e përditshme:

• ngjitja e shkallëve gjithmonë me këmbën “e mirë” përpara
• ngritja nga karrigia duke u shtyrë me duar
• çalimi kur jeni të lodhur
• pasiguria kur ecni në rrugë të pabarabartë

Udhëzimi klinik i Shoqatës Amerikane të Fizioterapisë (APTA) për protezën e gjurit rekomandon ushtrime forcimi që nisin herët dhe vështirësohen gradualisht, si dhe ushtrime të veçanta për ekuilibrin dhe ecjen.

Gabimi i pestë: krahasimi me të tjerët dhe me videot në internet

“Kunati im eci pa paterica pas dy javësh.” “Në internet pashë se pas operacionit të shpatullës duhet bërë ky ushtrim.” Krahasimet e tilla sjellin ose ankth, ose guxim të tepërt.

Dy operacione me të njëjtin emër mund të jenë shumë të ndryshme. Teknika që ka përdorur kirurgu, cilësia e kockës, mosha, forca para operacionit dhe sëmundje si diabeti ndikojnë në shpejtësinë e shërimit. Një ushtrim nga interneti mund të jetë i saktë për dikë tjetër, por i gabuar për fazën tuaj.

Programi juaj duhet të bazohet në udhëzimet e kirurgut dhe në ekzaminimin tuaj, jo në përvojën e dikujt tjetër.

Kur nuk duhet pritur?

Dhimbja dhe ënjtja pas operacionit zakonisht janë pjesë e shërimit dhe ulen ngadalë. Por disa shenja kërkojnë kontroll të menjëhershëm:

• plaga skuqet, nxehet, rrjedh ose hapet
• keni ethe ose të dridhura
• pulpa e këmbës është e fryrë, e nxehtë dhe e dhimbshme
• keni frymëmarrje të vështirë ose dhimbje në gjoks
• pas protezës së ijës, këmba duket papritur më e shkurtër ose e rrotulluar
• pas operacionit të shpinës, ju mpihet zona mes kofshëve ose keni vështirësi me urinën dhe jashtëqitjen

Nëse shfaqet ndonjëra prej tyre, kontaktoni kirurgun ose shkoni menjëherë në urgjencë.

Çka e shpejton shërimin?

Shumë pacientë pas protezës së gjurit pyesin për aparatin që e lëviz gjurin vetë. Rishikimi Cochrane i vitit 2014 nuk gjeti përfitime klinikisht të rëndësishme që ta arsyetojnë përdorimin e tij te çdo pacient. Baza janë ushtrimet aktive, në të cilat punën e bëjnë vetë muskujt tuaj.

Rehabilitimi i mirë nuk është i ndërlikuar, por kërkon rregull dhe durim:

• lëvizja sa më herët, aq sa e lejon kirurgu
• qetësues sipas udhëzimit të mjekut, që të mund të lëvizni
• ushtrime forcimi që vështirësohen nga java në javë
• ushtrime për ekuilibrin dhe ecjen, jo vetëm për forcën
• program i qartë për shtëpi
• kontrolle të rregullta për ta përshtatur planin

Nëse operacioni juaj është i planifikuar, puna mund të nisë edhe para tij. Disa javë ushtrimesh para ndërhyrjes ju ndihmojnë t’i mësoni lëvizjet dhe ecjen me paterica kur ende nuk keni dhimbje nga plaga.

Rehabilitimi pas operacionit në Prishtinë

Në Active Physiotherapy, puna pas operacionit fillon me udhëzimet e kirurgut dhe me ekzaminimin e nyjës ose të shpinës së operuar. Pastaj caktojmë synime të qarta për secilën fazë, nga ecja e sigurt nëpër shtëpi deri te kthimi në punë, vozitja apo sporti rekreativ.

Programi ka zakonisht katër pjesë:

• matje të lëvizjes, forcës dhe ecjes
• ushtrime pas operacionit, të përshtatura sipas fazës së shërimit
• këshilla për ënjtjen, gjumin dhe punët e përditshme
• ushtrime për në shtëpi dhe kontroll të rregullt të përparimit

Operacioni është hapi i parë. Pjesën tjetër të rrugës e bëni ju, me durim dhe ushtrime të rregullta.

Active Physiotherapy – Prishtinë
Rruga Bajram Kelmendi nr. 248
Mbrapa Teatrit Kombëtar, drejt Tokbashqes
+383 48 570 220

/Telegrafi/