
Komuna e Suharekës ka anuluar tenderin për instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në disa fshatra të kësaj komune. Vendimi vjen pasi Gazeta Insajderi raportoi për dyshimet lidhur me vlefshmërinë e certifikatave ISO dhe autenticitetin e dokumenteve të paraqitura nga kompania e rekomanduar për kontratë.
Kompania certifikuese RIGCERT kishte konfirmuar për Gazetën Insajderi se certifikimi i kompanisë “LCE SH.P.K.” ishte suspenduar më 1 tetor 2026 dhe ishte riaktivizuar më 23 tetor, pas përfundimit të auditimit vjetor të mbikëqyrjes. Megjithatë, kompania ishte rekomanduar për kontratë më 16 tetor 2026, në kohën kur certifikimi i saj ishte ende i suspenduar.
Si ishte rekomanduar “LCE” SH.P.K. per kontrate?
Komuna e Suharekës kishte hapur tender me vlerë të parashikuar prej 490 mijë eurosh për “Instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në fshatrat Savrov, Doberdelan, Bukosh, Sopijë, Vraniq, Budakov, Mushtisht, Grejqec, Leshan, Tërnje dhe Komunë”.
Për këtë aktivitet të prokurimit, më 16 tetor 2026, Komuna kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “LCE” SH.P.K.
Mirëpo, ndaj kësaj procedure të prokurimit ishin parashtruar disa kërkesa për rishqyrtim, të cilat Komuna e Suharekës i kishte refuzuar.
Njëra nga kërkesat ishte dorëzuar nga një operator ekonomik, i cili kishte kundërshtuar disa kritere të dosjes së tenderit, duke i konsideruar ato diskriminuese, joproporcionale dhe kufizuese për konkurrencën.
Në mesin e pretendimeve të tij ishin hapësira e kërkuar për depozitimin dhe parkimin e pajisjeve, përvoja profesionale e inxhinieres së elektros, kualifikimet e dy teknikëve të elektroteknikës, dokumentacioni për dhjetë punëtorët, certifikatat ISO të kompanisë LCE SH.P.K., si dhe dallimet në çmimet për njësi të paraqitura në ofertë.
Komuna i kishte refuzuar këto pretendime, duke arsyetuar se dokumentacioni i kompanisë së rekomanduar për kontratë i përmbushte kërkesat e dosjes së tenderit.
Sa u përket certifikatave ISO, Komuna kishte thënë se verifikimi përmes kodeve QR në regjistrin e RIGCERT-it kishte treguar se ato kishin statusin “Valid”.
Dyshime për dokumente të ndryshuara, RIGCERT konfirmon suspendimin e certifikatave
Përveç kërkesës për rishqyrtim, një tjetër operator ekonomik e kishte dërguar çështjen në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kundërshtuar vendimin e Komunës për rekomandimin e LCE SH.P.K. për kontratë.
Në ankesën e dorëzuar më 4 nëntor 2026, operatori pretendonte se kompania e rekomanduar nuk i kishte përmbushur disa nga kriteret e dosjes së tenderit dhe se Komuna nuk i kishte shqyrtuar siç duhet dëshmitë e paraqitura.
Njëra nga çështjet kryesore të ngritura në ankesë lidhej me vlefshmërinë e certifikatave ISO të LCE SH.P.K.
Sipas ankuesit, nga verifikimet në sistemin elektronik të trupit certifikues RIGCERT, më 21 tetor 2026, certifikatat figuronin me statusin “Suspended”. Po ashtu, ankuesi pretendonte se më 22 tetor kishte marrë konfirmim nga RIGCERT se certifikatat ishin të suspenduara që nga gushti i vitit 2026.
Megjithatë, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, vetë RIGCERT kishte dhënë një kronologji tjetër lidhur me këtë çështje.
Sipas këtij trupi certifikues, certifikimi i kompanisë LCE SH.P.K. ishte lëshuar fillimisht më 26 gusht 2024, ndërsa vlefshmëria e tij varej nga realizimi i auditimeve vjetore të mbikëqyrjes.
RIGCERT kishte konfirmuar se kompania nuk e kishte kryer me kohë auditimin e planifikuar vjetor, për çka certifikimi i saj ishte suspenduar më 1 tetor 2026.
“Një datë më të vonshme, më 22 tetor, aktivitetet e mbikëqyrjes janë planifikuar dhe përfunduar. Si rezultat, vlefshmëria e certifikimit është rikthyer më 23 tetor”, thuhej në përgjigjen e RIGCERT-it për Insajderin.
Kështu, në kohën kur kompania ishte rekomanduar për kontratë, më 16 tetor, certifikimi i saj ishte ende i suspenduar.
Ndërkaq, një tjetër pretendim i ngritur në ankesë ishte edhe më serioz. Ankuesi pretendonte se kompania e rekomanduar kishte paraqitur një certifikatë të ndryshuar të prodhuesit turk IRPA AYDINLATMA GIDA.
Sipas ankesës, në dokumentin e dorëzuar në tender ishte shtuar emri “ARTAY LIGHTING”, i cili, sipas ankuesit, nuk ishte prodhues, por zyrë përmes së cilës ishte siguruar autorizimi.
Ankuesi thoshte se, për të verifikuar autenticitetin e dokumentit, kishte kontaktuar drejtpërdrejt kompaninë prodhuese turke. Sipas tij, kjo e fundit kishte konfirmuar se certifikata e paraqitur në tender ishte ndryshuar dhe nuk përputhej me dokumentin origjinal.
Si dëshmi, ankuesi kishte dorëzuar në OSHP certifikatën origjinale të prodhuesit, dokumentin e paraqitur nga kompania e rekomanduar, komunikimin me prodhuesin dhe krahasimet mes dy dokumenteve.
Në ankesë thuhej se Komuna e Suharekës nuk i kishte trajtuar këto pretendime dhe prova në mënyrë të mirëfilltë gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishqyrtim.
Ankuesi pretendonte se autoriteti kontraktues kishte vepruar në mënyrë të njëanshme, duke mos kërkuar sqarime dhe duke mos dhënë vlerësim për dëshmitë e paraqitura lidhur me autenticitetin e certifikatës.
“Këto prova kërkojnë verifikim zyrtar dhe të paanshëm nga Autoriteti Kontraktues, përpara se të vazhdohet me lidhjen e kontratës. Ndërsa në përgjigjen e AK-së në kërkesën për rishqyrtim nuk kemi pranuar asnjë sqarim apo vlerësim të këtyre provave që kemi paraqitur, andaj me të drejtë shqetësohemi që komisioni për vlerësim të tenderëve ka vepruar në mënyrë të njëanshme duke favorizuar një OE që nuk është i përgjegjshëm”, thuhej në ankesë.
Për këtë arsye, kompania kishte kërkuar nga OSHP-ja që t’i shqyrtonte provat, ta anulonte vendimin e Komunës dhe ta kthente lëndën në rivlerësim.
Me vendimin e ri, Komuna ka anuluar procedurën e prokurimit për instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në disa fshatra të saj. Kështu, tenderi për të cilin “LCE” SH.P.K. ishte rekomanduar për kontratë nuk do të vazhdojë sipas vendimit paraprak të Komunës.
Burimi: Insajderi