Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është dakorduar me kryeministrin Albin Kurti për vazhdimin e iniciativës ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Pas takimit me Kurtin, Çitaku ka njoftuar se palët janë pajtuar që gjatë javës së ardhshme të vazhdojnë procedurat për një iniciativë të re ligjore.
“Në takim me kryeministrin Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, u dakorduam që në javën e ardhshme të vazhdojmë iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara”, tha Çitaku, raporton Telegrafi.
Ajo bëri të ditur se projektligji do të bazohet në tekstin që Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në dy lexime në tetor, ndërsa do të përfshihen ndryshimet e nevojshme për ta bërë atë më të qëndrueshëm juridikisht.
“Projektligji do të ketë për bazë tekstin që Kuvendi i Kosovës e miratoi në dy lexime në tetor. Mbi atë tekst do të bëjmë ndryshimet e nevojshme, për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje shtetërore”, u shpreh ajo.
Çitaku theksoi se me Kurtin kanë pasur pajtim për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet të bëhen, ndërsa dallimet kanë qenë rreth procedurave parlamentare.
“Me zotëri Kurtin jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë te procedurat parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam për rrugën që do ta ndjekim, me propozime konkrete, me propozimet e ekspertëve”, deklaroi Çitaku.
Në fund, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së kërkoi ndjesë për vonesat dhe paqartësitë gjatë këtij procesi, duke u zotuar se iniciativa do të përfundojë.
“U drejtohem atyre që e kanë ndjekur këtë proces me shqetësim. I pranoj kritikat për mënyrën se si kemi ecur deri më sot. Në emër të bashkëpartiakëve të mi, u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave dhe paqartësive u shqetësuan sinqerisht se kjo nismë mund të mbetej përgjysmë. Sot u jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund”, shtoi Çitaku. /Telegrafi/