Pas tri ditësh ndërprerje, Termokosi rikthen ngrohjen në Prishtinë

Pas tri ditësh ndërprerje, Termokosi rikthen ngrohjen në Prishtinë

Written by

in

Pas tri ditësh ndërprerje, Termokosi rikthen ngrohjen në Prishtinë

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se është rikthyer furnizimi me ngrohje në Prishtinë, pas rikthimit në operim të njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, rikthimi i furnizimit është mundësuar pas krijimit të kushteve për marrjen e avullit nga kjo njësi, i cili shfrytëzohet për prodhimin e energjisë ngrohëse.

“Që nga orët e para të ditës së sotme, ekipet e NP ‘Termokos’, të mobilizuara me të gjitha kapacitetet operative dhe në koordinim të ngushtë me KEK-un, kanë punuar për rikthimin gradual të furnizimit me ngrohje. Aktualisht, furnizimi me ngrohje është stabilizuar për pjesën më të madhe të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Termokosi ka bërë të ditur se ekipet po vazhdojnë punën në terren për të siguruar furnizimin edhe në pikat më të largëta të rrjetit, ku qarkullimi i ngrohjes kërkon më shumë kohë.

Furnizimi me ngrohje ishte ndërprerë para tri ditësh, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”, e cila kishte pamundësuar furnizimin me avull për prodhimin e energjisë ngrohëse.

Gjatë kësaj periudhe, ngrohje kishin vetëm klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali