Pasardhësi i Guy Parmelin, përballje e mundshme mes Gjenevës dhe St. Gallenit

Pasardhësi i Guy Parmelin, përballje e mundshme mes Gjenevës dhe St. Gallenit

Written by

in

Gara për pasuesin e këshilltarit federal Guy Parmelin po hap një debat të ri në politikën zvicerane, ku në qendër është përfaqësimi rajonal në qeverinë federale.

Sipas mediumit zviceran SRF, një përballje e mundshme për këtë post mund të zhvillohet mes Céline Amaudruz nga Gjeneva dhe Esther Friedli nga St. Galleni, të dyja përfaqësuese të Partisë Popullore Zvicerane (SVP).

Megjithatë, asnjëra nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën.

Friedli, e cila është anëtare e Dhomës së Kantoneve, nuk ka dashur të komentojë mundësinë e kandidimit, ndërsa drejtuesit e SVP-së në kantonin St. Gallen kanë konfirmuar se kjo çështje është duke u diskutuar. Partia pritet t’i shpallë nominimet më 21 tetor.

Një kandidaturë e mundshme e Friedlit ngre edhe çështjen e përfaqësimit të kantonit St. Gallen, pasi në Këshillin Federal tashmë është e pranishme Karin Keller-Sutter, e cila vjen nga ky kanton.

Nga ana tjetër, zgjedhja e një përfaqësueseje nga St. Galleni mund ta lërë Zvicrën perëndimore me vetëm një anëtare në qeverinë federale, duke qenë se kjo pjesë e vendit tradicionalisht ka pasur dy përfaqësues, shkruan SRF, transmeton Telegrafi.

Céline Amaudruz konsiderohet një nga emrat kryesorë të SVP-së në pjesën frankofone të Zvicrës. Përfaqësues të partisë në këtë rajon kërkojnë që ndarja e vendeve në qeveri të marrë parasysh edhe përfaqësimin gjuhësor dhe rajonal.

Politologu Adrian Vatter nga Universiteti i Bernës vlerëson se çështja gjuhësore mund të ketë më shumë peshë sesa përkatësia në një kanton të caktuar.

Ndërkohë, në qarqet politike zvicerane po diskutohet edhe mundësia që përfaqësimi i Zvicrës perëndimore të ruhet përmes një ndryshimi të ardhshëm në përbërjen e qeverisë, në rast të largimit të këshilltarit federal Ignazio Cassis.

Guy Parmelin ka njoftuar se do të largohet nga Këshilli Federal në fund të vitit 2026, duke hapur kështu garën për pasardhësin e tij./Telegrafi/