Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” u ka bërë thirrje banorëve të lagjes Dardania në Prishtinë që t’i largojnë veturat nga një zonë e caktuar, pasi ato po pengojnë ekipet në mbledhjen e mbeturinave.
Përmes një njoftimi, kompania ka bërë të ditur se punëtorët e saj nuk po arrijnë t’i largojnë mbeturinat për shkak të veturave të parkuara në këtë hapësirë.
“Lusim banorët e lagjes Dardania që të largojnë veturat nga kjo zonë, sepse s’po mundemi me i largu mbeturinat”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Po ashtu, “Pastrimi” ka bërë të ditur se ekipet kanë pritur për 25 minuta intervenimin e policisë për të zgjidhur situatën. /Telegrafi/