
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka befasuar me vlerësimet e tij për ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, i cili një ditë më parë zyrtarizoi dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
Në një paraqitje në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku nuk i ka kursyer fjalët e mira për Hamzën, duke e cilësuar atë patriot të madh dhe një personalitet që ka dhënë kontribut të rëndësishëm për vendin.
Madje, kreu i LDK-së ka deklaruar se Hamza ka bërë punë të mëdha, të cilat, sipas tij, nuk janë vlerësuar sa duhet as brenda partisë që ai drejtonte.
“Dua ta falënderoj Hamzën. Publikisht dhe përjetësisht. Patriot i madh i këtij vendi. Ka bërë punë të madhe që shumë pak ia kanë njohur edhe në partinë e vet”, deklaroi Abdixhiku.
Përveç vlerësimit të kontributit të tij, Abdixhiku ka folur edhe për raportet personale dhe politike që ka pasur me Hamzën.
Ai ka theksuar se takimet mes tyre kanë qenë shumë të mira dhe se diskutimet janë zhvilluar në mënyrë normale, pavarësisht përkatësive të ndryshme politike.
Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të PDK-së, zhvillim që ka tërhequr vëmendjen në skenën politike të Kosovës.
Vlerësimi publik i Abdixhikut për Hamzën përbën një mesazh respekti politik mes dy figurave që kanë drejtuar parti të ndryshme opozitare.
/Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali