Përfundon gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së dhe të tjerëve, mbrojtja kërkon shpalljen të pafajshëm të të akuzuarve

Përfundon gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së dhe të tjerëve, mbrojtja kërkon shpalljen të pafajshëm të të akuzuarve

Written by

in

Përfundon gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së dhe të tjerëve, mbrojtja kërkon shpalljen të pafajshëm të të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, në gjykimin ndaj dy ish-inspektorëve të ATK-së dhe të tjerëve, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë. Prokuroria qëndroi pranë fjalës së dorëzuar me shkrim, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan aktgjykim lirues.

Në këtë rast, dy ish-inspektorët e ATK-së, Ramadan Ibishi e Selatin Hoxha, akuzohen për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Bashkë me ta, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare, akuzohet edhe Fisnik Ibishi, ndërsa për organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm akuzohen Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli. Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Skender Fetaj, avokati Mahmut Halimi, ngriti vëmendjen për çështjen se ekspertiza financiare e marrë gjatë fazës së hetimeve, si dhe e theksuar si provë në arsyetimin e aktakuzës, nuk është administruar si provë në shkresat e lëndës dhe konsideron se duhet të jetë pjesë e provave.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli vendosi që ta administrojë edhe ekspertizën financiare.

Prokurorja speciale Arbëresha Raça-Shala, dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar dhe deklaroi se mbetet në tërësi pranë saj.

Në fjalë përfundimtare, avokati Halimi, deklaroi se qëndron pranë fjalës me shkrim, duke shtuar se i mbrojturi i tij kishte rënë viktimë e grupeve të ndryshme të cilët e kanë dëmtuar tej mase, e ndaj tyre është duke u zbatuar procedurë tjetër.

Halimi shtoi se me ekspertizën financiare është dëshmuar se nuk ka shmangie tatimi, shpëlarje të parave e as krim të organizuar.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arian Kastrati, avokati Shpend Gashi deklaroi se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Haxhija, avokati Granit Bokshi, tha se edhe sikur të ishin të vërteta pretendimet si në aktakuzë, shtrohet pyetja se a përmbushen elementet e veprës penale me të cilat ngarkohet i mbrojturi i tij.

Avokati Bokshi shtoi se Prokuroria pretendon se janë gjetur 18 aparate të duplifikuara dhe 4 nga to pa licencë, por në fakt, sipas tij, këto aparate ishin të licencuara.

Ai gjithashtu theksoi implikimet ligjore të ndryshimit të Ligjit për lojërat e fatit, me të cilin janë ndaluar lojërat e fatit, e në një rast tjetër të ngjashëm është konstatuar se vepra penale me të cilën ngarkohen të akuzuarit është e dekriminalizuar,

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Latifi, avokati Driton Musliu deklaroi se qëndron pranë fjalës përfundimtare me shkrim dhe se nuk ështe plotësuar asnjë element i bixhozit të paligjshëm, duke shtuar se i mbrojturi i tij i ka paguar të gjitha tatimet, dhe kërkoi aktgjykim lirues.

Ndërsa, lidhur me armët e gjetura në shtëpinë e të Latifit, Musliu tha se ato janë të trashëguara, duke kërkuar gjithashtu lirimin nga dorëzania.

I akuzuari Latifi deklaroi se kishte biznes me licencë dhe leje pune, ndërsa në të kundërtën e shmangies nga tatimi, siç vërtetohet edhe nga ekspertiza, i ka paguar shtetit 16 mijë euro më tepër.

Ai shtoi se është viktimë e krimit të organizuar institucional nga një grup policësh të kryesuar nga Behar Millaku, ku sipas tij qëllimi i tyre ishte që biznesi të largohet nga tregu përmes gjobave marramendëse ku për një pasdite ishin shqiptuar gjoba në shumë 76 mijë euro.

Për fund, Latifi kërkoi nga Gjykata të vendosë drejtësi dhe ta shpallë të pafajshëm.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Ismajli, avokati Fatmir Kumehaj, tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare me shkrim.

Mbrojtësja e të akuzuarit Selatin Hoxha, avokatja Shpresa Hasaj, dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe shtoi se në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar vepra që i vihet barrë të mbrojturit të saj.

Ajo theksoi se Gjykata e Apelit i ka shpallur të gjitha vëzhgimet si prova të papranueshme, dhe se shpreson në një aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuairt Fisnik Ibishi, avokati Ali Beka, tha se e gjithë baza e aktakuzës pët të mbrojturin e tij është në përgjimet telefonike të cilat janë shpallur të jashtëligjshme.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Ibishi, avokati Mexhid Syla, tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare me shkrim dhe se është i bindur se Gjykata do të marrë vendim me të cilin Ibishi do të shpallet i pafajshëm pasi me asnjë nga provat e administruara nuk lakohet emri i Ibishit.

“Pas shpalljes së provave të papranueshme të përgjimeve të bisedave telefonike, kom prit me të drejtë që Prokuroria do të heqë dorë nga aktakuza sa i përket Ramadan Ibishit, për fat të keq kjo nuk ka ndodhë” u shpreh ai.

Më pas, gjyqtarja Shala-Abdyli shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe caktoi shpalljen e aktgjykimit për një datë tjetër.

Ndryshe, kjo lëndë ishte në gjykim tek gjyqtari Valon Kurtaj, por pas avancimit të tij në Apel, çështja kaloi te gjyqtarja Shala-Abdyli.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2019, të pandehurit Skender Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija si menaxherë, në bashkëkryerje kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit. Për këtë vepër akuzohen edhe Ramadan Latifi dhe Burim Ismajli. Latifi po akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, iu kanë vënë në dispozicion informatat që janë fshehtësi zyrtare të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë, duke i njoftuar për aksionet e ATK-së, duke iu mundësuar t’iu ikin kontrolleve në mënyrë që të mos gjobiteshin. Kurse, Fisnik Ibishi, akuzohet se me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Ramadan Ibishi, në kryerjen e veprës penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. 

Burimi: Insajderi