Përmbytjet që kanë goditur Stambollin gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale, ndërsa autoritetet turke i kanë cilësuar si më të rëndat që nga viti 1942.
Sipas një raportimi të përditësuar të medias turke Bianet, numri i të vdekurve në qytet ka arritur në pesë. Raportimi përfshin vdekjen e një punëtori gjatë largimit të ujit nga një kantier ndërtimi dhe gjetjen e trupit të një 66-vjeçari nën një urë në distriktin Sariyer.
Mes viktimave është edhe një adoleshent që humbi jetën nga goditja elektrike gjatë stuhisë.
Ministri i Brendshëm, Mustafa Ciftci, deklaroi gjatë vizitës në një prej zonave të prekura se institucionet po angazhohen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, përballë një fatkeqësie të përmasave të jashtëzakonshme.
Reshjet përmbytën banesa dhe biznese, mbuluan rrugë e parqe dhe morën përpara automjete në disa pjesë të qytetit.
Sipas të dhënave të raportuara nga Bianet, ekipet e emergjencës kanë shpëtuar 3.050 persona të bllokuar. Operacionet për kërkimin e personave të raportuar të zhdukur kanë vijuar, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet.
Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë ka paralajmëruar reshje të dendura gjatë fundjavës në Stamboll dhe në katër provinca përreth.
Ministri i Mjedisit, Urbanizmit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, ka theksuar nevojën për të trajtuar problemet që lidhen me ndërtimet pranë rrjedhave ujore. Ai i ka lidhur përmbytjet edhe me pasojat e ndryshimeve klimatike.
Burimi: Dukagjini
