Dashamirësit e çokollatës do të kenë një arsye më shumë për të vizituar Italinë këtë nëntor. Qyteti i Perugias do të mirëpresë nga 13 deri më 22 nëntor festivalin ndërkombëtar Eurochocolate, një prej aktiviteteve më të njohura kushtuar botës së kakaos dhe çokollatës.
Në edicionin e tij të 32-të, festivali do të shndërrojë qendrën historike të qytetit në një hapësirë të mbushur me aroma, shije dhe krijime të ndryshme çokollate.
Këtë vit, aktiviteti zhvillohet nën moton “Fate Dolci”, duke i ftuar vizitorët jo vetëm të shijojnë ëmbëlsirat, por edhe të bëhen pjesë e përgatitjes së tyre përmes punëtorive dhe demonstrimeve praktike.
Programi përfshin degustime të produkteve nga vende të ndryshme, takime me ekspertë të kakaos, prezantime nga pastiçierë dhe aktivitete për fëmijë e familje.
Një prej hapësirave më interesante do të jetë Eurochocolate World, ku do të prezantohen prodhues të çokollatës nga më shumë se 20 vende, përfshirë shtete të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe çokollatës së Costa d’Avorio, vendit të ftuar special të këtij edicioni, si një prej rajoneve më të rëndësishme të prodhimit të kakaos në botë.
Përveç produkteve tradicionale, vizitorët do të mund të zbulojnë receta të reja, krijime artizanale dhe alternativa për persona me nevoja të ndryshme ushqimore, përfshirë produkte pa gluten, pa laktozë dhe pa sheqer të shtuar.
Eurochocolate pritet të sjellë një atmosferë të veçantë në rrugët dhe sheshet e Perugias, duke bashkuar gastronominë, turizmin dhe kulturën në një festë të dedikuar një prej ëmbëlsirave më të dashura në botë.
Burimi: Dukagjini
