
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për falsifikim të autorizimeve dhe mashtrim në shitblerjen e pronave në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se ka përdorur autorizime të falsifikuara, kinse të lëshuara nga xhaxhai i saj, për të shitur prona që ndodheshin në emër të tij.
Në aktakuzë thuhet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ajo ka paraqitur dokumente të falsifikuara me qëllim që të ndikojë në vendimmarrjen për të drejtën e pronësisë së disa parcelave në zonën kadastrale Petroviç të komunës së Shtimes.
Si pasojë, gjykata kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin i ishte njohur e drejta e pronësisë personit me inicialet L.H.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, e pandehura dyshohet se në vitin 2016 ka mashtruar një person me inicialet M.K., duke përdorur autorizimin e falsifikuar për shitjen e pronës së xhaxhait të saj.
Përmes pagesave bankare, ajo dyshohet se ka përfituar para në vlerë prej 200 mijë eurosh, duke i shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarit.
Ndërsa, gjatë vitit 2018, e njëjta dyshohet se ka mashtruar edhe një person tjetër, me inicialet L.H., përmes një marrëveshjeje për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh. Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin në 120 mijë euro.
Ajo akuzohet për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.
E pandehura prezumohet e pafajshme derisa fajësia e saj të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
