Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar në Komisionin për Legjislacion mënyrën se si po trajtohet pakoja e pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Përmes një reagimi në Facebook, Tahiri ka vlerësuar se është shqetësuese që kjo reformë po shtyhet përpara pa përfshirjen reale të komenteve dhe rekomandimeve të shoqërisë civile dhe pa reflektimin e amendamenteve përmbajtësore të opozitës.
Ai ka theksuar se një proces i tillë nuk mund të konsiderohet reformë gjithëpërfshirëse, nëse përjashtohen akterët që duhet të jenë pjesë e tij.
Tahiri ka paralajmëruar se një qasje e njëanshme rrezikon ta shndërrojë reformën në një produkt të shumicës parlamentare, pa legjitimitetin dhe konsensusin e nevojshëm.
“Reforma në drejtësi nuk bëhet duke përjashtuar, duke injoruar dhe duke imponuar. Bëhet përmes dialogut, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes”, ka shkruar Tahiri.
Në përfundim, deputeti i Aleancës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij: “Reformë pa gjithëpërfshirje nuk ka!” /Telegrafi/