Philippe Diallo sfidon Infantinon për presidencën e FIFA-s

Philippe Diallo sfidon Infantinon për presidencën e FIFA-s

Written by

in

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, pritet të kandidojë kundër Gianni Infantinos në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të cilat do të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut.

Kandidatura e Diallos ka marrë mbështetjen unanime të shoqatave kombëtare të përfaqësuara në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe Këshillin e FIFA-s. Megjithatë, ajo duhet të ratifikohet zyrtarisht nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Franceze të Futbollit.

UEFA ka bërë të ditur se mbështet Diallon në këtë garë, duke theksuar nevojën për ndryshime në drejtimin e futbollit botëror.

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo

Në deklaratën e saj, konfederata evropiane ka kërkuar më shumë transparencë, qeverisje të mirë dhe përqendrim te zhvillimi i futbollit në të gjitha rajonet e botës.

Kandidatura e francezit vjen në një kohë kur Infantino po përballet me kritika të shumta, veçanërisht pas polemikave rreth planeve për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Pas reagimeve të ashpra nga drejtues të futbollit botëror, presidenti i FIFA-s u detyrua ta tërhiqte këtë propozim.

Federata Franceze e Futbollit kishte tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e Infantinos që në shtator, duke deklaruar se besimi ndaj tij ishte dëmtuar. Ndërkohë, edhe federatat e Anglisë, Uellsit dhe Skocisë kishin tërhequr letrat e mëparshme të mbështetjes për presidentin aktual.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino

Infantino synon mandatin e katërt në krye të FIFA-s, ndërsa zgjedhjet e marsit 2027 pritet të sjellin një përballje të rëndësishme për drejtimin e futbollit botëror. /Telegrafi/