Piktura e Van Goghut shitet për 190.4 milionë dollarë, rekordon në ankand pas polemikave për pronësinë

Piktura e Van Goghut shitet për 190.4 milionë dollarë, rekordon në ankand pas polemikave për pronësinë

Written by

in

Piktura e Van Goghut shitet për 190.4 milionë dollarë, rekordon në ankand pas polemikave për pronësinë

Një nga veprat më të rëndësishme të piktorit holandez Vincent van Gogh është shitur për 190.4 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork, duke vendosur një rekord të ri për artistin.

Piktura me titull “Pemët e gështenjës në lulëzim”, e realizuar në vitin 1890 në Auvers-sur-Oise të Francës, u bë vepra më e shtrenjtë e Van Goghut e shitur ndonjëherë në një ankand publik.

Sipas New York Times, blerësi ishte William Acquavella, tregtar i njohur arti dhe drejtues i Galerive Acquavella.

Vepra paraqet pemë në lulëzim, tri gra me fustane shumëngjyrëshe dhe një burrë me kapelë kashte. Ajo u realizua në muajt e fundit të jetës së artistit, vetëm pak kohë pasi ai ishte liruar nga një spital psikiatrik.

Megjithatë, shitja e saj u shoqërua edhe me një mosmarrëveshje mbi historinë e pronësisë. Piktura ishte blerë në vitin 1909 nga botuesi gjerman Samuel Fischer, ndërsa në vitin 1936 familja e tij u detyrua ta shiste, në kohën kur regjimi nazist po ushtronte persekutim dhe presion ekonomik ndaj familjeve hebraike.

Trashëgimtarët e Fischerit kishin kundërshtuar shitjen, duke argumentuar se familja ishte detyruar të hiqte dorë nga vepra për shkak të rrethanave të krijuara nga regjimi nazist.

Në vitin 1975, piktura u ble nga familja Blaquier-Arrieta, e cila e mbajti në pronësi për më shumë se 50 vjet.

Një ditë para ankandit, Sotheby’s njoftoi se ishte arritur një marrëveshje ndërmjet familjes Blaquier-Arrieta dhe të gjithë pasardhësve ligjorë të Hedwig dhe Samuel Fischer lidhur me shitjen e veprës.

Trashëgimtarët e familjes Fischer e mirëpritën marrëveshjen, duke theksuar se ajo mundëson njohjen e vuajtjeve që familja përjetoi gjatë periudhës naziste dhe nderimin e përpjekjeve të Gisela Berman Fischer për të siguruar drejtësi.

Ndërkaq, rekordi i mëparshëm në ankand për një vepër të Van Goghut ishte vendosur në nëntor të vitit 2022, kur piktura “Kopshti me selvi” u shit për 117.2 milionë dollarë në një ankand të Christie’s në Nju Jork.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali